Politikë

Rritet kërkesa për financim nga bizneset, Rama: 400 aplikime në proces dhe 32 kredi të miratuara (VIDEO)

Kreu i qeverisë nënvizoi se edhe një përgjigje negative nga banka nuk do të konsiderohet si fundi i procesit.

M.K.
Rritet kërkesa për financim nga bizneset, Rama: 400 aplikime në
edi rama

TIRANË- Kryeministri i vendit Edi Rama ka zhvilluar ketë të mërkur një takim me bizneset e vogla. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama deklaroi se skema “Dyfisho sipërmarrjen tënde” synon të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme përmes financimeve me interes deri në 2%. Rreth 400 biznese të vogla dhe të mesme janë aktualisht në proces aplikimi për të përfituar nga skema 'Dyfisho Sipërmarrjen Tënde' ndërsa deri më 5 tetor janë miratuar 32 kredi me një vlerë totale prej rreth 5 milionë eurosh.

Të dhënat u bënë publike nga kryeministri Edi Rama  ku foli për ecurinë e skemës dhe mundësitë që ajo ofron për sipërmarrjet që synojnë zgjerimin e aktivitetit të tyre.

Sipas Ramës, programi parashikon kredi me interes deri në 2%, ndërsa financimi mund të arrijë deri në 2 milionë euro. Afati maksimal i shlyerjes së kredisë është përcaktuar deri në 10 vjet.

Kryeministri tha se skema është konceptuar kryesisht për bizneset e vogla dhe të mesme që kanë arritur të konsolidojnë aktivitetin e tyre, por përballen me mungesë të kapitalit të nevojshëm për të vijuar zgjerimin.

“‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ ka ardhur si nevojë për të mbështetur nga afër sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, që ia kanë dalë të përballojnë vështirësitë që çdo biznes përballon. Sot kanë akumuluar dije dhe e dinë se si të rriten, por nuk kanë mundësitë financiare”, tha Rama.

Sipas tij, madhësia dhe niveli i konsolidimit të një pjese të këtyre bizneseve mund ta bëjë më të vështirë sigurimin e financimit ndaj skema synon t’u krijojë atyre një mundësi shtesë për të investuar dhe zgjeruar aktivitetin.

“Për shkak të masës që kanë këto biznese, që nuk janë shumë të konsoliduara, kanë nevojë për një dorë dhe mbështetje. Prandaj kemi krijuar këtë skemë, që ofron një kredi me një interes deri në 2%. Financimi shkon deri në 2 milionë euro dhe afati është deri në 10 vjet”, tha kryeministri.

Rama e cilësoi skemën si një mekanizëm të ndërtuar posaçërisht për nevojat financiare të sipërmarrjeve dhe nënvizoi se interesi i bizneseve për të përfituar prej saj është në rritje.

“Është një kornizë shumë e favorshme, e bërë enkas për biznesin. Ky është programi dhe më vjen shumë mirë që shohim një rritje të interesit. Sot që flasim kemi rreth 400 biznese që janë në proces. Deri në datën 5 kemi 32 kredi të miratuara, për një vlerë që shkon deri në 5 milionë euro”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se ritmi i aplikimeve dhe interesit për skemën ka ardhur në rritje, duke e konsideruar këtë si një tregues të kërkesës së bizneseve për financim me kushte më të favorshme.

“Ajo që na vjen mirë është se shohim një rritje të përshpejtuar” tha Rama./ZËRI

Poll

MOS HUMB