
TIRANË- Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të vijë në Shqipëri nesër për të inaguruar hapjen e xhamisë së Namazgjasë. Erdogan pritet që të mbërrijë në Shqipëri, rreth orës 11:00. Fillimisht, do të zhvillojë një takim me presidentin e vendit tonë, Bajram Begaj dhe më pas me kryeministrin Edi Rama. Me këtë të fundit do të zhvillojë edhe një mbledhje dhe një konferencë për shtyp. Më pas, Erdogan do të zhvendoset tek xhamia e Namazgjasë, për të qenë i pranishëm në ceremoninë e hapjes. Pasi do të qëndrojë 7-8 orë në Tiranë, presidenti turk do të largohet në drejtim të Serbisë, ku gjithashtu do të zhvillojë një vizitë zyrtare.
Agjenda:
Ditën e nesërme pritet që rreth orës 11:30 – 11:40 të zhvillohet ceremonia e pritjes së Presidentit Turk Erdogan
11:40 – 12:40 të dy liderët do të kenë një takim koke me koke ndërsa më pas vijon:
12:40 – 13:40 Mbledhja e keshillit te bashkerendimit te nivelit te larte
13:40 – 14:00 Ceremonia e firmosjes se marreveshjeve
14:00 – 14:30 Konferenca per shtyp
16:30 – 17:30 Ceremonia e inaugurimit te Xhamise
Në kuadër të vizitës në Shqipëri të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar edhe masat e sigurisë duke nisur që nga mbërritja e kreut të shtetit turk në aeroportin e Rinasit, deri në shoqërimin e tij në Tiranë. Për sigurinë e tij, Policia e Shtetit njofton qytetarët se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore.
"Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar - Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar - Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, të datës, 10.10.2024, do të jetë i bllokuar. Rrugë të tjera që do të bllokohen janë: Nga Rinasi - Qafa e Kasharit - Mbikalimi tek Casa Italia - nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unazë (Astir) - Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi "Zhan D'Ark" dhe rruga "Xhorxh Bush","-njofton Policia.
Sipas mediave greke, presidenti turk pritet të takohet në Tiranë edhe me liderin fetar të sektit mysliman bektashi në Shqipëri, Baba Mondin.
Xhamia e Namazgjasë është gati për tu hapur nesër, 9 vite nga nisja e ndërtimit. Sot, godina është mbuluar me flamuj turq edhe shqiptarë. Ishte imami turk Enes Bastur, ai që zbuloi se xhamia do të hapej me vizitën e Erdogan në Shqipëri, duke treguar se i ishte besuar drejtimi i xhamisë së Tiranës. Ndërsa myftiu i Tiranës Gazmend Teki̇a është emëruar kryetar i Bordit Drejtues të fondacionit të përbashkët mes Komunitetit Mysliman dhe palës turke, që do të menaxhojë xhaminë e re. Nesër në Tiranë pritet të jetë edhe ai, por do të mungojë kreu i Kominitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu. Kryetari aktual i KMSH konsiderohet nga shteti turk si një njeri pranë fondacionit FETO (gylenist), pasi ka studiuar përmes ndihmesës me bursë nga një nga fondacionet e themeluara nga Fetullah Gylen. Armiqësia e njohur e Erdogan me rrjetin "FETO" është kthyer në kufirin që presidenti turk ka vendosur në miqësinë e tij me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama./ZËRI