Politikë

Çështja e mandateve në Kushtetuese/ "Zhvishen" deputetët e mazhorancës, Gjykata u heq mbrojtjen politike

Pra, nëse Gjykata vendos me votën e shumicës të mos përcjellë çështjen për shqyrtim, atëherë 1/5 e deputetëve mund të paraqesin kërkesë në gjykatë për të gjykuar çështjen.

zh.ll
Çështja e mandateve në Kushtetuese/ "Zhvishen"
Foto ilustruese-Gjykata Kushtetuese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese rrëzoi në maj të këtij viti kërkesën e PD-së për mandatin e deputetit, Vullnet Sinaj, ndërsa nga zbardhja e plotë e vendimit, zbulohet se Gjykata ka krijuar një mekanizëm që mund të çlirojë opozitën. Ajo ka riaktivizuar të drejtën e një të pestës së deputetëve, që vë në lëvizje procedurën parlamentare, në rast të rrëzimit të mocionit të një të dhjetës së deputetëve të Kuvendit.

Pra, nëse Gjykata vendos me votën e shumicës të mos përcjellë çështjen për shqyrtim, atëherë 1/5 e deputetëve mund të paraqesin kërkesë në gjykatë për të gjykuar çështjen. E megjthatë, ky mekanizëm ishte nxjerrë jashtë loje nga Gjykata Kushtetuese, në vitin 2023, atëherë kur bëhej fjalë për mandatin e Olta Xhaçkës, kur Parlamenti refuzoi t’a dërgonte çështjen në Gjykatë. E njëjta gjë ndodhi edhe me rastin e mandatit të Vullnet Sinës. Ndërkohë që nga ana tjetër, kjo lëvizje e Kushtetueses u kthye në pengesë për opozitën dhe kërkesat e tyre.

“E drejta e një të pestës së deputetëve sipas nenit 66, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000 lidhet me vënien në lëvizje të Gjykatës në ato raste kur vetë Kuvendi, pas shqyrtimit të mocionit të Kryetarit të tij ose një të dhjetës së deputetëve, vendos të rrëzojë mocionin në seancë plenare, për rrjedhojë të mos pranojë dërgimin e çështjes në Gjykatë.”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

PJESË NGA VENDIMI: 

Gjykata thekson se qëllimi i kompetencës kushtetuese për kontrollin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nënkupton një gjykim në themel prej saj, në të cilin ajo vlerëson nëse veprimet konkrete të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij dhe në përfundim konstaton këtë papajtueshmëri, nëse është rasti. Në funksion të realizimit të këtij qëllimi, kushtetutëbërësi ka parashikuar edhe një të dhjetën e deputetëve si subjekt q vë në lëvizje procedurën parlamentare për dërgimin e çështjes së papajtueshmërisë së dyshuar të deputetit për shqyrtim në themel në Gjykatë. Në këto kushte, në rastet kur Kuvendi vihet në lëvizje me mocion të një të dhjetës së deputetëve ose të Kryetarit të tij, ai (Kuvendi) ka detyrimin kushtetues për të filluar procedurën parlamentare për shqyrtimin e mocionit për dërgimin e çështjes së papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatë.

Në rast të rrëzimit të mocionit të një të dhjetës së deputetëve të Kuvendit ose Kryetarit të tij, për rrjedhojë në rast të mosvënies në lëvizje të Gjykatës nga Kuvendi, në kuptim të bërjes efektiv të këtij mekanizmi të kontrollit kushtetues të parashikuar nga shkronja “e” e pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, paraqitja e kërkesës nga jo më pak se një e pesta e deputetëve, në kuptim të së drejtës së saj sipas shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 134 të Kushtetutës, të reflektuar tashmë edhe në përmbajtjen e pikës 2 të nenit 66 të ligjit nr. 8577/2000, përbën mjetin alternativ për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues për kontrollin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit. 

E drejta e një të pestës së deputetëve sipas nenit 66, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000 lidhet me vënien në lëvizje të Gjykatës në ato raste kur vetë Kuvendi, pas shqyrtimit të mocionit të Kryetarit të tij ose një të dhjetës së deputetëve, vendos të rrëzojë mocionin në seancë plenare, për rrjedhojë të mos pranojë dërgimin e çështjes në Gjykatë. Vetëm në këtë mënyrë bëhet i  zbatueshëm neni 70, pika 4, i Kushtetutës dhe merr vlerë e drejta e pakicës parlamentare, jo më pak se një të pestës së deputetëve, për të kërkuar nga Gjykata shqyrtimin përfundimtar në themel të çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetit./ZËRI/

Poll

MOS HUMB