
SHKODËR-BKH dhe Policia e Shkodrës zhvilluan sot kontrolle dhe veprime hetimore në disa zona, Malësi e Madhe, Barbullush, Bushat dhe Mjedë në kuadër të parandalimit të krimeve zgjedhore. Në lidhje me aksionin raportohet se janë arrestuar dy persona, ndërsa ka disa të ndaluar. Dritan Prençi është prokurori i SPAK i caktuar në Shkodër për hetimin e krimeve zgjedhore.
I pranishëm ishte edhe vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili është edhe në krye të Task-Forcës për krimet zgjedhore që do të funksionojë deri më 31 maj. Dumani zhvilloi një takim me kreun e Policisë së qytetit dhe zyrtarë të tjerë në ambientet e Prokurorisë së Shkodrës.
Kreu i SPAK sipas burimeve ka vënë theksin tek zbulimi i krimeve zgjedhore. Dumani deklaroi se SPAK ka procedime konkrete lidhur me krimet zgjedhore dhe se pritshmëritë janë të mëdha. Ai ka kërkuar që në rastet kur ka akuza apo deklarata publike për shitblerje vote, personat që bëjnë këto akuza të thirren për të bërë kallëzim në Polici dhe Prokurori dhe të mos neglizhohen si raste.
Vizita e papritur e kreut të SPAK në Shkodër ka ngjallur vëmendje, mes dyshimeve për zhvillime të rëndësishme hetimore në këtë qytet. Ndërkohë përmes një postimi në rrjetet sociale SPAK bën me dije se deri më tani kanë nisur hetimet për 35 materiale kallëzuese./ZËRI