
TIRANË-'Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian' ka kërkuar largimin nga koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Kryetari i kësaj force politike, Vasil Sterjovski i është drejtuar me një letër kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, ku i njofton edhe vendimin për t’u tërhequr dhe i kërkon çregjistrimin nga ky koalicion.
Burime bëjnë me dije se Partia Aleanca Maqedonase për Integrim Europian me kryetar Vasil Sterjovskin, do të garojë në listën e hapur të Partisë Socialiste në Qarkun e Korçës. Mësohet se Sterjovski kishte kërkuar që të ishte pjesë e listave të PD-së në Korçë në listën e mbyllur, por kjo nuk është pranuar nga Sali Berisha. Ndërkohë që mësohet se ai ka kaluar në krahun tjetër, duke iu bashkuar Partisë Socialiste.
Kërkesa:
Kërkesë për çregjistrimin e AMIE-së nga koalicioni zgjedhor “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”
I nderuar z. Celibashi,
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) njofton tërheqjen nga koalicioni zgjedhor “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025.
Në këtë kuadër, ju kërkojmë të çregjistroni emrin e partisë sonë nga ky koalicion. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj.
Me respekt,
Kryetari i partisë
Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, Vasil Sterjovski.

Kërkesa për largim vjen në ditën e fundit të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve, ndërsa 'Shqipërisë Madhështore” i mbeten 25 parti. /ZËRI