TIRANË-Një nga ndërtimet më ikonike të Tiranës pritet të asgjësohet! Bëhet fjalë për Pallatin e Kongreseve. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, maxhoranca miratoi përfshirjen në rendin e ditës të vendimit për kalimin e Pallatit të Kongreseve në pronësi të qeverisë, duke arsyetuar se godina do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.
Anëtarët e opozitës e kundërshtuan, duke e cilësuan si një hap të ngjashëm me praktikat e mëparshme për shembjen e godinave me vlerë kulturore në Tiranë, si Teatri Kombëtar apo stadiumet historike. Dorian Teliti u shpreh se projekti për "Rijetëzimin" e Pallatit të Kongreseve është vendim i njëjtjë si me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe projektet për stadiumet historike të kryeqytetit.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me shumicë votash të këshilltarëve socialistë kalimin e kësaj prone në administrimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Sipas një njoftimi më herët në faqen në faqen zyrtare të Korporatës, Pallati i Kongreseve do të dalë në ankand me pretendimin se ka nevojë "përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës". Godina do të shërbejë si një qendër për aktivitete kulturore, akademike dhe shoqërore. Edhe vetë kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projektit për rijetëzimin e sheshit “Nënë Tereza”, ku do të instalohet vepra “Tirana Mooons” e arkitektit Chris Precht deklaroi se Pallati i Kongreseve do të rinovohet me të njëjtën formulë si me stadiumin.
Pallati i Kongreseve është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Tiranës, në qarkun e Tiranës, Shqipëri. Ky monument është i llojit "Arkitekture", i miratuar me numër "122 më 05.03.2007". Pallati i Kongreseve u ndërtua për organizimin e kongreseve të Partisë së Punës, por edhe të festivaleve. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1982 dhe përfunduan katër vite më pas në vitin 1986. Për ndërtimin e tij punuan ndërmarrjet më të mira në vend. Por modernizmi i godinës nga jashtë vazhdonte edhe brenda saj. Ambientet brenda saj u bënë një mënyrë që pallati të ishte edhe shumëfunksional dhe çdo gjë e vendosur atje të përshtatej me aktivitetet që do te zhvilloheshin, një funksion që Pallati i Kongreseve vazhdon ta ruajë edhe sot pas 20 vjetësh.
Pallati ka një shtrirje rreth 70 metra paralel me shëtitoren dhe lartësi 18 deri në 23 metra. Qëllimi ka qenë harmonizimi i mirë me objektet ekzistuese përreth si me Muzeun Arkeologjik, stadiumin "Qemal Stafa", Kryeministrinë e Radio-Televizionin Shqiptar./ZËRI

