LEZHË-Ashtu si dhe ishte njoftuar Partia Demokratike ka zgjeruar protestën me 'Foltore' jo vetëm para Kryeministrisë. Turi u hap sot nga kreu i PD, Sali Berisha i cili zhvilloi një bashkëbisedim të hapur dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët e njesisë nr.9.
Edhe pse synimi kryesor është beteja kundër qeverisë dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, Berisha foli për herë të parë edhe për një analizë të brendshme brenda Partisë Demokratike post-zgjedhje. Konkretisht Berisha njoftoi nisjen e një analize të thelluar brenda partisë, ku çdo seksion do të vlerësohet për punën në zgjedhje, si dhe bëri thirrje për debat të hapur, dhe jo “gjueti shtrigash”. Sipas Berishës, PD do të rishikojë strukturat, listat e anëtarësisë dhe të përgatitet për fazën e ardhshme të betejës politike.
Kjo lëvizje e Berishë vjen pas takimit të mbajtur nga Ervin Salianji më 27 nëntor me më të votuarit në Primaret dhe listat e hapura në zgjedhjet e 11 majit në radhët e demokratëve. Në takimin mbi tre orë u raportua se qëllimi kryesor ishte dëgjimi i mendimeve dhe eksperiencës së fituesve për të nxjerrë zgjidhjet më të mira për PD-në, dhe nevoja e një aksioni brenda partisë pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit. Edhe pse vetë kreu i PD, Berisha u shpreh i pashqetësuar për takimin, nisja e një analize brenda partisë dhe ftesa për të gjithë në debat, dikutime dhe propozime, duket se takimi ka dhënë rezultat.
Sali Berisha: Do kisha dashur të isha shumë kohë përpara në takim me ju, se ne jemi parti e debatit. Absolutisht e debatit të lirë. Por, debati gjatë periudhës së raportit, hartimit të raportit, do të ishte kundër nesh. Do ta përdorte Edi Rama për të mashtruar botën se ky këtu nuk mbrojti kutinë atje, nuk u paraqit te komisioni, nuk bëri këtë, nuk bëri atë.
Këtë dhuratë nuk mund t’ia bënim ne kurrë atij. Asnjë arsye nuk ka pasur në vonesën tonë të fillimit të analizës përveç kësaj. Asnjë tjetër. E dyta, prej kësaj kaluam në zgjedhjet e Tiranës. Sigurisht nuk do merreshim me analizë të fushatës kur ishim në fushatë zgjedhore. Do të bëjmë një analizë të shkëlqyer. A mundet ne të përdorim situatën, a mundet ne të përdorim faktin e një diktature autoritare për të mos analizuar të gjithë dobësitë, problematikat tona? Në asnjë mënyrë.
Ne fillojmë sot një debat, fillojmë sot një analizë me të cilën ne do e nxjerrim shumë më të fortë dhe të fuqishme Partinë Demokratike. Po. Dhe në këtë analizë, jeni të ftuar secili prej jush të japë mendime, të bëjë kritika për cilido, të bëjë propozime. Kam vetëm dy kërkesa.Jo gjah shtrigash. Ne nuk bëhemi në asnjë rrethanë parti e gjahut të shtrigave, por japim përgjegjësinë me fakte, me argumente secilit. Ku i patëm dobësitë tona, çfarë duhet të përmirësojmë, çfarë duhet të ndryshojmë? Ne nuk duhet të kemi frikë të bëjmë të gjitha sugjerimet, të gjitha propozimet. Jo. Çfarë të përmirësojmë. Dy momente duhet të ketë secili prej nesh. Hapësirë, hapësirë, hapësirë. Të përpiqemi. Diktatura është një peshë e rëndë mbi ne, përpiqet të na zhdukë hapësirat. Ne brenda vetes duhet të përpiqemi të zgjerojmë hapësirat, të krijojmë hapësirat për mendimin, të krijojmë hapësira për të rinjtë, të krijojmë hapësira për debatin, të krijojmë hapësira për të gjithë ata që duan të na bashkohem.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha deklaroi se e ardhmja e vendit nuk mund të jetë më nën drejtimin e Ramës, të cilin e quajti “gaz i Europës” për shkak të çështjeve të fundit të korrupsionit dhe krimit. Ai bëri thirrje për bashkim dhe mobilizim total në betejën vendimtare për ndryshimin politik në vend./ZËRI