
TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij. Seanca gjyqësore pritet të nisë në orën 09:30. Në GJKKO ka mbërritur edhe Pirro Xhixho dhe deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi.
Në një prononcim për mediat ajo tha se do të paraqitet përballë një sistemi drejtësie të kapur. Ku e quajti këtë një proces gjyqësor si propagandë të kryeministrit Edi Rama.





"Po shkoj sot për tu paraqitur përballë një sistemi drejtësie të kastruar nëse inteligjencë nuk e kanë aq të zhvilluar sa të kuptojnë se ça do të thotë fjala kastruar, për të kërkuar nga ata kush e ka shpërndarë dosjen në media që kanë nxjerrë sekretin hetimor. Për të kuptuar që drejtësia e Edi Ramës, nuk është drejtësia që kanë kërkuar shqip, e partnerëve tanë që kanë shpenzuar miliona euro, por është drejtësia e propagandës së Ramës. T’u shikojmë edhe fytyrat si i kanë, do e përballojnë dot apo jo", tha Kryemadhi.
Ish-presidenti u arrestua ditën e hënën në Tiranë, teksa po kthehej nga Kosova, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai akuzohet për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish.
Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit, por ndryshe nga ish-bashkëshorti i saj, Gjykata e Posaçme, vlerësoi se Kryemadhi duhet të kishte një masë më të butë sigurie duke marrë parasysh disa elementë, mes tyre edhe shëndetin e Kryemadhit.
Meta prej 21 tetorit mbahet në paraburgim në qelitë e Bllokut të Sigurisë në Tiranë, ndërsa ndaj Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos) është caktuar “arrest shtëpie”, ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”. /ZËRI