TIRANË-Kuvendi ka vijuar me debate e përplasje, ku kryedemokarti Sali Berisha ka akuzuar kryetarin e komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri se ky i fundit ka qenë pjesë e takimit në Aruba, një nga episodet më të përfolura të hetimit ndërkombëtar për trafik droge dhe pastrim parash që po zhvillohet nga SPAK.
Në dokumentet hetimore të SPAK, pjesë e takimit kanë qenë disa nga personat nën hetim, mes tyre Artur Shehu, Adrian Rama, Erjon Rama, Elton Memeti dhe Bashkim Osmani. Berisha pretendon se në takimet, të cilat shërbenin për koordinimin e veprimtarisë së trafikut të narkotikëve, si dhe për diskutimin e qarkullimit të parave në Shqipëri ka qenë edhe Damian Gjiknuri. Deputeti socialist ka mohuar të ketë qenë pjesë e takimit dhe e ka cilësuar një shpifje ordinere.
Pjesë nga diskutimi:
Sali Berisha: Tani ky Duman, që mund t’i vesh njëqind epitete, po unë nuk e prish gojën, fsheh emrin e Damian Gjiknurit, të cilët ishin dërgata e tij… Damian, tani, edhe po nuk ke qenë, të gjithë për ty thonë. Bëj be sa të duash, nuk ta besojnë. Nuk ta besojnë tani, nuk e kam unë fajin.
Damian Gjiknuri: Meqenëse politikani i mëparshëm, që unë e quaj babeli psikologjik, sepse gjithmonë aty ku do t’i mëshojë asaj që ka rëndësi, e bën relevante, ka një parim ai që e di shumë mirë, se njihemi prej kohësh: “S’ka rëndësi gënjeshtra, rëndësi ka kush e thotë i pari”. Sa për emrin që më përmendi, ai e di shumë mirë që unë s’kam asnjë lidhje me ata, as nuk i njoh, por disa nga emrat që përmenden aty, familjarët e tij janë në foto. Nuk po them kanë apo nuk kanë lidhje, atë ta sqarojë i zoti i punës, por është një shpifje ordinere. Sa për protestën, i pari që e tha antitrampizëm, e tha ai, pastaj e ktheu pllakën. Kur të dalë e vërteta e Arubës, edhe unë do të them çfarë marrëveshjesh ka bërë ai për të lënë hapësirë që të udhëtojë sërish në Amerikë, këtë duhet t’ua shpjegojë ai deputetëve të tij.
Sali Berisha: Me asnjë shpifje nuk e lan dot veten tënde, Damian, dil e bëj be këtu që s’ke qenë, dil betohu që s’ke qenë në Aruba. Sa i përket asaj, të garantoj që gjithçka është trillim dhe vetëm trillim, dosjen e ka në dorë një armik i imi dhe mezi do të priste të shihte, kurse ty të fsheh ai. Nëse ti thua nuk kam qenë, dil bëj be këtu në Bibël dhe lahu para shqiptarëve, po nuk bën dot be. Dil provoje.