TIRANË- Pas një procesi të gjatë gjyqësore, Gjykata Speciale ka shpallur verdiktin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me gjithsej 81 vite burg, një vendim tronditës që ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri.
Figura politike nga Shqipëria dhe Kosova kanë reaguar përmes deklaratave publike pas shpalljes së vendimit:
"Marre", ky ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama për procesin gjyqësor në Hagë. Rama zgjodhi ta komentojë vetëm me një fjalë krahas një fotografie në rrjetin e tij social "Facebook'.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e ka quajtur një ditë të rëndë për kombin shqiptar. Krahas flamurit të UÇK-së, Bardhi shkruan se askush nuk mund ta njollosë luftën e drejtë për lirinë e Kosovës.
Një ditë të rëndë për kombin shqiptar e quajti kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi pas vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së.
“E pabesueshme! E papranueshme!
Ditë e rëndë për kombin shqiptar, por akoma më e rëndë për njerëzimin dhe botën demokratike. Shqiptarët janë edhe më të fortë pas kësaj padrejtësie dhe turpi të njerëzimit!
Askush nuk mund ta bëjë pis luftën e drejtë për lirinë e Kosovës.
Përjetësisht me UÇK-në”, shkroi Bardhi.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar duke shprehur trishtimin e thellë për vendimin e sotmë. Ai shprehet se asksush dhe asgjë nuk mund ta njollosë UÇK-në.
"Trishtim i thellë për vendimin e sotëm. Vendosmëria për të apeluar vendimin është shenjë e fortë integriteti dhe qëndrueshmërie. Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në! Liria ka emër", shkruan Begaj.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjithashtu ka reaguar pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Përmes një postimi në rrjete sociale, Meta e ka cilësuar vendimin si absurd dhe politik dhe një ditë të trishtuar për të gjithë shqiptarët. Meta është ndaluar kryesisht të dënimi i Jakup Krasniqit, për të cilin thotë se është dënuar sipas tij, po aq sa 'kasapi i Ballkanit', Mlladiç.
“Ditë shumë e trishtuar për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Lufta e shkëlqyer e Kosovës për çlirim, meriton vetëm piedestalin e krenarisë patriotike dhe jo bankën e akuzës dhe dënime absurde, qartazi politike.
Dënimi realisht me burgim të përjetshëm i mësuesit dhe intelektualit, Jakup Krasniqit, me moshë 75-vjecare dhe me probleme të rënda shëndetësore, që ka përdorur gjithmonë vetëm penën dhe fjalën, po aq sa kasapi i Ballkanit, Mlladiç është dëshmia më e rëndë e absurditetit të këtij vendimi politik të dhënë gjoja në emër të popullit të Kosovës.
Vendin e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka vendosur përjetësisht historia. Pavarësinë e Kosovës, të njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka gjykatë, që e ndryshon dhe e zhbën dot kurrë”, shkruan Meta.
"Dënime tërësisht të pamerituara", i ka quajtur kryedemokrati Sali Berisha verdiktin e Hagës me 81 vite burgim për ish-krerët e UÇK-së. Përmes një deklarate publike, Berisha thekson se asgjë nuk mund ta errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, ndonëse sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, teksa në Serbi sipas tij, bëhet festë.
“Natyrisht sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të Kosovës, pasi gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit.
Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politike të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës.
Me këtë rast, sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta.
Por asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë me të cilën së bashku, dhe në mbështetje të NATO-s, dhe kjo ishte aleate në tokë e NATO-s, çliroi koloninë e fundit në Evropë, Kosovën nga pushtimi barbar serb”, u shpreh ndër të tjera Berisha.
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Sipas Braçes, sot gjykata bëri pies dhe ndy liftën e shqiptarëve të Kosovës.
Braçe e konsideron vendimin si një goditje jo vetëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, por edhe ndaj luftës së UÇK-së dhe shqiptarëve të Kosovës. Në përfundim të reagimit, ai kërkon që Shqipëria të ndërmarrë veprime ligjore kundër vendimit, ndërsa thekson se “tani është çështje shqiptare, e çdo shqiptari”.
"NE EMER TE POPULLIT TE KOSOVES;
NJE GJYKATE BERI PIS E NDYU LUFTEN E SHQIPTAREVE TE KOSOVES E SHQIPERISE PER LIRI E PAVARESI,
NDER, DINJITET E JETE NE PAQE NE TROJET E TIJ!
Organizimi i popullit jo per te sulmuar kend por per tu mbrojtur-per te mbrojtur vendin e pushtuar, lirine e hequr dhunshem, nderin e dinjitetin e marre prej shtypjes, arrestimit, torturimit, perdhunimit per djem e burra, vajza e gra, vrasjes, PRA ORGANIZUAR SI UCK, U QUAJT NDERMARRJE KRIMINALE!!!!
Domethene, keta 4 burra, USHTRIA CLIRIMTARE E KOSOVES, u vune nen akuze per KRIME KUNDER NJEREZIMIT, u arrestuan per krime te tilla, u gjykuan per krime te tilla, POR EDHE KJO GJYKATE NUK MUNDI TI DENOJE PER TO-NUK KA PATUR KURRE KRIME TE TILLA!
Shqiptaret sa ka jete mbi toke NUK KANE KRYER KRIME TE TILLA, KURRE!
Pas ketij vendimi, SHQIPERIA E NDOTUR MASIVISHT NGA KY PROCES DHE KY VENDIM, duhet te ndermarre veprive ligjore te qarta kunder tij, PER TE PASTRUAR EMRIN E SAJ, EMRIN E CDO SHQIPTARI NE ATO DY RRETHET E VERIUT QE SHQUHEN SI VENDE KEIMESH NE KETE VENDIM;
Duhet ta bej me shpejtesi kunder ketij vendimi te poshter!
KOSOVA nuk ka nevoje per mendjen time, por dhe ajo duhet te ndermarre veprime ligjore ne KOSOVE mbi te gjitha dhe kudo, KUNDER NJE GJYKATE QE NE EMER TE POPULLIT TE KOSOVES BEN PIS E NDYN NJE VEND, NJE POPULL;
Kjo nuk eshte me ceshtje e kater burrave qe luftuan per liri, te bere fajtore per KRIME LUFTE qe nuk i kane bere kurre, VRASJEN E 96 PERSONAVE konkretisht, POR ESHTE CESHTJE E NJE POPULLI TE SHPALLUR FAJTOR PSE JU PERGJIGJ ME LUFTE AGRESORIT, PUSHTUESIT!
TANI ESHTE CESHTJE SHQIPTARE, E CDO SHQIPTARI!!", shkruan Braçe.
Katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me 81 vite burgim në total nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim./ZËRI