Politikë

Zyrtarisht në detyrë! Ambasadori amerikan Eric Wendt takim me Begajn: SHBA, partner i pazëvendësueshëm

Eric Wendt do të jetë pasuesi i ambasadores Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin e saj në Shqipëri në vitin 2023

F.I
Zyrtarisht në detyrë! Ambasadori amerikan Eric Wendt takim me Begajn:
Bajram Begaj dhe Eric Wendt

TIRANË-Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, nis sot zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Shqipëri. Wendt ka paraqitur letrat kredenciale te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Ceremonia zyrtare e pritjes u mbajt në ambientet e Pallatit të Brigadave. Takimi i cili zgjati rreth një orë shënon hapin e parë formal të Wendt në ushtrimin e detyrës së tij si përfaqësues i Washingtonit në Shqipëri.

Presidenti Bajram Begaj pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt, duke i uruar suksese në detyrë. Kreu i Shtetit rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Njoftimi i plotë i Presidencës:

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Sh. T. Z. Eric Ëendt, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Presidenti i Republikës i pranoi Letrat Kredenciale Ambasadorit amerikan dhe i uroi suksese në këtë mandat. Kreu i Shtetit rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Eric Wendt do të jetë pasuesi i ambasadores Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin e saj në Shqipëri në vitin 2023. Që prej asaj kohe, Ambasada amerikane në Tiranë është drejtuar nga të ngarkuar me punë, ndërsa procesi për emërimin e një ambasadori të ri u zgjat për shkak të procedurave të konfirmimit në Senat. 

Në këtë kuadër, Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria do të vijojë të angazhohet plotësisht në thellimin e marrëdhënieve, duke u mbështetur në përparësitë e politikës së saj të jashtme dhe në përgjegjësitë që burojnë nga marrëdhënia e ngushtë.

Shtetet e Bashkuara janë një partner i pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare.

Kush është Eric Wendt?

Sipas të dhënave të karrierës së tij, Eric P. Wendt është një oficer i lartë i ushtrisë amerikane në pension, me mbi 34 vite shërbim, pjesa më e madhe në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur detyra si koordinator sigurie i SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019) dhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA. Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.

Wendt ishte propozuar më herët edhe për postin e ambasadorit në Katar gjatë mandatit të parë të Donald Trump, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati./ZËRI

Poll

MOS HUMB