Politikë

“Harxho dhe dridh zinxhirin”, Rama: Kush vjedh ujin do të përballet me heqje lirie

Sipas Ramës, pavarësisht investimeve të bëra, administrimi i ujësjellësve ka lënë për të dëshiruar

E.K
“Harxho dhe dridh zinxhirin”, Rama: Kush vjedh ujin do të
EDI RAMA

TIRANË- Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku, kanë prezantuar sot krijimin e Operatorit të Ujit, strukturë që sipas tyre do të shërbejë për menaxhimin më efektiv të burimeve ujore në vend, si dhe për të garantuar një cilësi më të mirë të shërbimit për të gjithë abonentët. Në pritje të qeverisë së mandatit të katërt, kryemistri Edi Rama tha se gjendja në të cilën socialistët gjetën sektorin e ujit në vitin 2013 ishte alarmante. Duke marrë si shembull situatën në bashkinë e Vlorës në nisje të këtij sezoni turistik, Rama tha se vetëm në sajë të vëmendjes së qeverisë u arrit që të kishte një përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me ujë. Sipas kryeministrit, menaxhimi i këtij sektori ka lënë shumë për të dëshiruar, ndërkohë që borxhet që kanë pasur ndërmarrjet e ujësjellësit ndaj shtetit kanë qenë shumë të larta.

“Nga ana jonë kemi bërë investime masive nga ana e qeverisë qendrore, flas. Po të shohim hartën sot, nga katër zona që furnizoheshin me ujë në 2013 dhe me humbje në rrjet që shkonte afro 70%, kemi një panoramë tërësisht ndryshe, por ama ndryshe në raport me atë që ishte. Kur volumi i kërkesës për ujë në pikun e sezonit rritet në mënyrë marramendëse, niveli i papërgjegjshmërisë në pushtetin vendor është i frikshëm.

Ju sjell shembullin e Vlorës. E nisi sezonin me një situatë të papranueshme të alarmit të zonave të tëra për furnizimin me ujë, nuk është se u bëmë ndonjë investim ato ditë, por thjesht dhe vetëm komandimi me një mision të posaçëm nga Tirana dhe me vëmendje të posaçme nga Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës, administrimi solli një përmirësim të situatës dhe hoqi ankthin dhe ndjesinë e emergjencës, alarmin që s’kemi ujë”, u shpreh Rama.

Rama paralajmëroi se kushdo që vjedh ujin do të përballet me heqje lirie, njësoj siç u veprua dhe me sektorin e energjisë elektrike.

“Të garantojmë suksesin që garantuam me energjinë elektrike!  Njësoj siç bëmë me energjinë, ka ardhur koha që me këtë Operator, do jetë sinergjia e 15 shoqërive ekzistuese dhe me organet e tjera ligjzbatuese, do vendoset vija e kuqe mes atij që paguan dhe atij që vjedh, gjë që fatkeqësisht nuk e bënë bashkitë deri më sot! Ai që vjedh ujin duhet të penalizohet me heqje lirie!”, theksoi së pari kryeministri.

“Raporti i bërë nga ekipi për situatën e administrimit të ujësjellësit të Vlorës është i frikshëm. Nivel papërgjegjshmërie i frikshëm. Solla rastin konkret duke qënë se flasim për një nga pikat më atraktive dhe më të ngarkuara nga turizmi. Borxhet e akumuluara nga këto ndërmarrje të administruara me papërgjegjshmëri ekstreme në vitin 2020 arritën në 13.6 miliardë euro. Harxho, shpërdor, dridh zinxhirin dhe ngarko kompaninë e shpërndarjes së energjisë me borxhe.

Në 2021, ndërmorëm hapin e parë duke hyrë në procesin e bashkimit të kompanive dhe nga 58 shoqëri, 58 çeta, ne krijuam 15 shoqëri rajonale. Qëllimi ishte të përmirësohej performanca dhe të rritej përgjegjshmëria në administrim dhe sot kemi rezultate domethënëse, që na tregojnë një gjë që përgjigjia ndaj kësaj sfide është bashkimi dhe jo copëzimi. Njerëzit nuk pinë decentralizim në rubitet, por ujë.  Sot kemi 9 shoqëri rajonale nga 15 që nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE-së. Hap i jashtëzakonshëm padiskutim”, tha Rama.

Po ashtu Rama foli dhe për heqjen e depozitave nga pallatet, që sipas tij do të duhet të realizohet në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, por kjo padyshim kërkon një furnizim të vazhdueshëm dhe pa orar me ujë të të gjithë abonentëve.

“Nuk jemi në kushtet kur janë qytetarët ata që abuzojnë, kemi abuzues në radhë të parë për qëllime fitimi, me lavazhe nëpër lagje, abuzues me ujë që derdhet rrugëve kombëtare në pika të ndryshme po ta shikoni, me lidhje të paligjshme nëntokë që do të jenë target i planit të masave në mënyrë që shumica dërrmuese e qytetarëve të marrin shërbim të drejtë, kjo është koha për të nisur punën me planin e heqjes së depozitave që janë kthyer në pesha të jashtëzakonshme mbi pallate të ndërtuara ku e ku më parë që mund të bëhen burim katastrofash, hap pas hapi duke u shpjeguar njerëzve që heqja e depozitave është në të mirë të komunitetit”, tha kreu i qeverisë./ ZËRI

Poll

MOS HUMB