
TIRANË- Edhe pse pa praninë e deputetëve të opozitës dhe shumë institucioneve të drejtësisë, duket se Komisioni "anti-korrupsion" do të vijojë me punimet. Lajmin e bëri me dije kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, i cili para mediave të pranishme konfirmoi se "reforma në drejtësi" do të ndryshohet. Madje paralajmëroi se mund të ketë edhe ndryshim të Kushtetutës. Ai u shpreh se drafti mbi punën e komisionit do të ndjekë një proces kompleks, ku fillimisht do të trajtohet në 12 tryeza diskutimi, më tej do të diskutohet fillimisht me grupet e interesit dhe institucionet e drejtësisë. Më pas, gjetjet do i kalojnë ekspertëve vendas e të huaj që do të shohin përputhshmërinë e raportit analitik me rekomandimet e BE.
Por edhe pse përfaqësues të institucioneve të drejtësisë janë shprehur se nuk do të marrin pjesë në diskutime, Xhafaj është shprehur se përgjigjen e tyre nuk e sheh si refuzim.
“12 tryeza diskutimi, ku do marrin pjesë grupet e interesit, biznesi, profesionistë etj. Ky nuk është project ndërkombëtar por është i shqiptarëve. Është angazhimi ynë për të reformuar jetën politike e institucionale në këtë vend. Ndërkombëtarët i kemi kërkuar ne për asistencë dhe monitorim. Sot janë pjesë e procesit me ekspertët e tyre për asistencë e monitorim. E kemi nisur me ta. Disa organizata s’kanë sjellë ekspertë dhe ne nuk i marrim me zor.
Nuk bëhet fjalë për refuzim se nuk refuzohet Kuvendi. Kuvendi është shprehje e vullnetit të popullit. Nga Kuvendi burojnë pushtetet e tjera. Fjala refuzim është e papërshtatshme. Institucioneve të drejtësisë u thamë bëjeni ju procesin. Ata na thanë që duhet ta bëjë Kuvendi. Ata do të përfshihen në këtë proces me propozimet që kanë, me dokumentet e tyre. Ne kemi nisur shqyrtimin e raportimeve dhe debateve në seancë për të parë problematikat që kanë ngritur institucionet e drejtësisë. Ata do të jenë pjesë e tryezës së grupit të punës, por në momentin që drafti do të dalë, do të konsultohet me ta. Sistemi nuk janë drejtuesit, ata janë të përkohshëm. Do tu themi gjyqtarëve dhe prokurorëve, cilat janë qëndrimet qëndrimet tuaja,”-tha Xhafaj.
Sa i përket ndryshime në ligje, kreu i komisionit të posaçëm tha se deri tani ekspertët nuk kanë propozuar ndryshime kushtetuese, por as nuk e përjashtoi si mundësi.
“Sa shoh unë nuk ka të tilla, por konsultimi mund të nxjerrë nevojë për ndryshime. Nga drafti që është nuk shoh propozime për ndryshime kushtetuese. Shoh nevojën për ndryshime ligjore dhe institucionale. Ky është proces, mund të ketë propozime gjatë debatit, dhe mund të arrihet që të ketë edhe të tilla. S’ka kufizime edhe për një komision të posaçëm.Sa i përket ndryshimeve kushtetuese për drejtësinë nuk ka të tilla. Nëse do ta kërkojnë ata po. SPAK ka kërkuar vetë të ndryshojë ligji i tij për disa kërkesa që ata kanë. Vetë institucionet e drejtësisë kanë kërkuar 120 ndryshime,”-shtoi Xhafaj.
Komisioni antikorrupsion i drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj ka mbetur vetëm, pa institucionet e drejtësisë. Pasi opozita e bojkotoi prej fillimisht Komisionin, të njëjtin shembull ndoqën edhe disa nga institucionet e drejtësisë, duke e lënë maxhorancën të vetmen palë në tryezë. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Posaçme, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë njoftuan njëri pas tjetrit se nuk do të merrnin pjesë në komision. Ndërkohë, përveç institucioneve të drejtësisë, komisioni “Xhafaj” është bojkotuar edhe nga disa organizata të shoqërisë civile, të cilat janë aktive në monitorimin e institucioneve të drejtësisë./ZËRI