Politikë

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i ‘bëhet vend’ Qorit dhe Lapajt, por pa të drejtë vote

Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet do të kenë nga një përfaqësues në Komision, që mund të bëjnë propozime, por që nuk do të kenë të drejtë vote

E.K
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i
reforma zgjedhore

TIRANË- Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, që do të ngrihet në Kuvend, i ka dhënë një zgjidhje të mesme dhe interesit të partive të vogla opozitare që kërkonin të ishin pjesë e procesit.

Pas dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës për të pasur barazi votash në komision, vend i është bërë dhe dy partive, ‘Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt dhe ‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorit, por që roli i tyre do të jetë i kufizuar.

Sipas dokumentit të fundit zyrtar të dakordësuar mes palëve, bëhet me dije se këto dy parti, të cilat përfaqësohen në Kuvend vetëm me nga 1 deputet për palë, mund të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit, kanë të drejtën e propozimeve, por pa të drejtë vote.

Komisioni do të ngrihet mbi parimin e barazisë pozitë–opozitë, me 16 anëtarë, 7 nga Partia Socialiste, 7 nga Partia Demokratike dhe 2 nga partitë që kanë fituar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, që janë Partia Mundësia, dhe PSD e Tom Doshit.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, iKomisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i

Drejtimin e komisionit do ta marrin dy bashkëkryetarë, një nga PS dhe një nga PD.

Sipas dokumentit zyrtar, komisioni do të ketë në fokus hartimin e ndryshimeve ligjore për reformën zgjedhore, shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe ato parlamentare të 11 majit 2025, si dhe për zgjedhjet e mëparshme që nuk janë trajtuar, vlerësimin e propozimeve të institucioneve zgjedhore, partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse si dhe hartimin e një ligji të ri për financimin e partive politike.

Pranë komisionit do të ngrihet edhe një grup ekspertësh teknikë, ndërsa në proces do të marrin pjesë me rol këshillues përfaqësues të OSBE-së, OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Europës, Komisionit të Venecias, si dhe ekspertë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Komisioni do të ushtrojë veprimtarinë për 9 muaj nga momenti i miratimit të vendimit, me mundësi zgjatjeje nëse kërkohet nga të dy bashkëkryetarët dhe miratohet nga Kuvendi./ZËRI 

Poll

MOS HUMB