
TIRANË- Komisioni i Venecias u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për mandatin e deputetes të Partisë Socialiste Olta Xhaçka. Pas një takimi që ka zgjatur për disa orë, Komisioni i Venecias ka miratuar opinionin që kishte kërkuar Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në lidhje me mandatin e Xhaçkës. Tashmë ka një opinion, por do të publikohet në ditët në vijim. Lajmin e ka dhënë në një komunikatë zyrtare Kuvendi i Shqipërisë. Por deri në momentin që të do të publikohet zyrtarisht në faqen e Komisionit të Venecias, të gjitha detajet që janë diskutuar do të ruhen konfidencialisht.
"Opinioni i kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit, me shkresën nr. 3457, datë 13.09.2024, është miratuar nga Komisioni i Venecias, në mbledhjen e mbajtur sot më datë 6 Dhjetor, në Venecia, Itali. Ky Opinion do të botohet nga Komisioni i Venecias, sipas rregullave dhe procedurave të aplikueshme prej tij. Deri në datën e publikimit, Kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e kërkueses së këtij opinioni, do të vijojë të respektojë ruajtjen e konfidencialitetit të dokumentit në fjalë, siç ka bërë deri më sot, në zbatim të detyrimeve që përcaktohen në rregullat e punës së Komisionit të Venecias,"- thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit.
Para se të jepej njoftimi nga Kuvendi, në media doli një lajm se Komisioni i Venecias kishte vendosur se deputetët kishin liri që të votonin si të donin, edhe kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Menjëherë pati një reagim nga grupi Parlamentar i Partisë Demokratike që e denoncoi si "lajm të rremë". Demokratët akuzuan zyrën e Kryetares së Kuvendit, që sipas tyre e kanë prodhuar dhe e kanë shpërndarë.
Reagimi i Grupit Parlamentar të PD
Sot në disa media, është shpërndarë një fake neës i prodhuar nga Zyra e Kyetares së Kuvendit, që i paraqitet opinionit publik si qëndrim i Komisionit të Venecias apo burim special e konfidencial nga Komisioni i Venecias. Mbajtja të fshehtë e draft opinionit të Komisionit të Venecias që është miratuar sot, apo përjashtimi i opozitës nga ky proces, ka patur si qëllim pikërisht dezinformimim e opinionit publik përmes prodhimit të lajmeve të pavërteta të sajuara nga Kryetarja e Kuvendit dhe me fjali të nxjerra jashtë kontekstit të opinionit të Komisionit të Venecias. Padyshim kur ka trajtuar parimin e mandatit jo detyrues, jo Komisioni i Venecias, por edhe vetë Gjykata jonë Kushtetuese, sqaron që deputetet si rregull janë të lirë të votojnë sipas vullnetit të tyre, por ky rregull sigurisht që nuk ka lidhje me çështjen në fjalë, siç Gjykata Kushtetuese ka sqaruar. Grupi Parlamentar i PD i bën thirrje mediave që të tregohen të matura në informimin e publikut dhe të presin publikimin e opinionit të Komisionit të Venecias apo ti referohen vetëm burimeve zyrtare apo serioze për informim mbi këtë çështje, duke refuzuar çdo fake neës që konsideron Elisa Spiropalin si Komisioni i Venecias. Grupi Parlamentar i PD dënon me forcë sjelljen dezinformuese të Kryetarës së Kuvendit që synon të krijojë konfuzion në opinionin publik, vetëm me qëllim që të mbrojë pandëshkueshmërinë e bashkëpunëtores së Edi Ramës, deputetes strategjike Olta Xhaçka, si dhe të fsheh faktin se për herë të parë në 34 vite Kuvendi ka refuzuar të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese. Ky Opinion do të botohet nga Komisioni i Venecias, sipas rregullave dhe procedurave që aplikohen prej tij. Kuvendi i Shqipërisë bën me dije se deri në datën e publikimit, Spiropali, në cilësinë e kërkueses së këtij opinioni, do të ruaj konfidencialitetin e dokumentit. Sipas Kuvendit, ky është një detyrim ndaj kryeparlamentares që përcaktohen në rregullat e punës së Komisionit të Venecias. Për PD mbajta e fshehtë e opinionit të Venecias për mandatin e deputetes Xhaçka synon dezinformimin e qytetarëve.
Gjatë kësaj seance mori pjesë edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali së bashku me kryetaren e Komisioneve të ligjeve Klotilda Buashka. Po ashtu, një ditë më parë në seancën plenare u zhvilluan tensione në Kuvend ku kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike akuzoi mazhorancën, se ata kanë marrë një vendim paraprak nga Komisioni i Venecias por e kanë fshehur. Spiropali e hodhi poshtë këtë pretendim duke thënë se në momentin kur të jepet një vendim, të gjithë deputetët do të lajmërohen.
Mocioni ndaj ish-ministres u ndërmor nga opozita në qershor 2022 pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe iu dha me vendim qeverie e drejta e përdorimit të brigjeve të detit para hotelit. Edhe pse prona në fjalë është tashmë subjekt i Prokurorisë së Posaçme, kjo nuk i bën socialistët që ta lënë në dorë të drejtësisë mandatin e Xhaçkës. Në korrik, herën e fundit që u votua për mandatin e saj, Xhaçka foli për sulm politik nga opozita dhe sulmoi mediat e gazetarët si; “inkuizitorë”, “gjobaxhinj” dhe “snajperistë”.
Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke shmangur praktikën e mëparshme parlamentare, kur Kuvendi ka vendosur që të dërgojë për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve në rastet kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës, që i ndalon ata të përfitojnë nga të mirat publike. Ishte Gjykata Kushtetuese që doli në përfundimin se mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa dhe se deputetët janë të detyruar të votojnë e ta dërgojnë atë sa më shpejtë. Në daljet publike, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj. /ZËRI