
TIRANË- Në mbledhjen e Komisionit të Financave dhe Ekonomisë u diskutua buxheti për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve. Ministrja Manastirliu tha se ka rritje në buxhet dhe dha detaje për projektet e planifikuara për vitin e ardhshëm dhe investimet që do të zhvillohen.
Ministrja theksoi nevojën për të rritur numrin e mësuesve ndihmës, sidomos për nxënësit me aftësi të kufizuar. Sipas planeve të ministrisë së Arsimit do të punësohen 2100 mësues të rinj ndihmës në të gjithë vendin.
“Do të kemi 850 punonjës psikosocial në shkolla. Siguria e fëmijëve në shkolla është prioritet, do të ketë 240 punonjës oficerë sigurie në shkolla, me shtim të punonjësve dhe me 300 mln lekë fond për këtë pjesë. 3200 punonjës mbështetës me kontratë të përkohshme me kosto 231 mln lekë. 640 koordinatorë dhe për këshillin të karrierës, si mësues mbështetës. Programi me tekstet shkollore falas për mbi 200 mijë nxënës, si dhe mundësimi i transportit mbi 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues që punojnë e mësojnë larg vendit të banimit, me mbështetje 1,2 mld lekë”, tha Manastirliu.
Më tej ajo shtoi se do të shtohet mbështetja për nxënësit me pamundësi financiare sociale, ku tha se janë 3800 bursa në dispozicion dhe do të trajnohen mbi 60 mijë mësues në të gjithë vendin me fonde të caktuara nga buxheti dhe kurikula me programe të reja sipas draftdokumentit të miratuar.
“Mbi 2 mld mbështetje për arsimin parauniversitar, si objektet dhe infrastrukturave shkollore. Kantiere në 40 shkolla, si dhe infrastruktura sportive dhe pajisja e tyre me fond 240 mln lekë të parashikuara buxhet. 80 laboratore të shkencave të rinj me fond 240 mln lekë vlerë buxheti të shtuar. 654 laboratorë smart në shkollat tona përgjatë 2025-2027 dhe investimi në laboratorë dixhitalë. Ndërtimi i Kampusit Kolegjit të Europës, ka hapur ciklin akademik për këtë vit, por me buxhetin e 2025 do nisi edhe kampusi i ri i kolegjit. Transformimi i Universitetit Bujqësor të Kamzës, si dhe bashkëpunimin projekte të përbashkëta me ato të Vjenës, Parisit dhe Stambollit. Paga e shpenzime të tjera shkojnë mbi 11 mld lekë. Fondi i mbështetjes studentore, shtresat sociale dhe ekselentët parashikon 1,4 mld lekë fonde. 450 studentë me bursa sa paga minimale mbështetje. Por edhe financimin e mbështetjen e Fakulteteve të reja në Tiranë dhe Durrës, si dhe ambienteve e projekte të tjera të arsimit të lartë, me vlerë buxheti rreth 1,48 mld lekë. Kurse 350 mln lekë do të jenë për kërkimet shkencore në universitete, dixhitalizimi në arsimin e lartë si regjistri elektronik dhe 100 projekte të kërkimit shkencor dhe inovacionit që do i mbështesim dhe financojmë në bashkëpunim me BE dhe partnerët tanë”, shtoi Manastirliu. /ZËRI