Politikë

Kujdesi për fëmijët, miratohen rregullat e reja për familjet kujdestare

Këshilli i Ministrave ka përcaktuar rregullat e reja për mënyrën se si do të ofrohet kujdesi alternativ në familje.

M.K.
Kujdesi për fëmijët, miratohen rregullat e reja për familjet
foto ilustruese

TIRANË- Familjet që marrin përsipër kujdesin për fëmijët që nuk mund të qëndrojnë pranë familjes biologjike do t’i nënshtrohen një procedure të përcaktuar vlerësimi dhe miratimi. Këshilli i Ministrave ka përcaktuar rregullat e reja për mënyrën se si do të ofrohet kujdesi alternativ në familje.

Sipas vendimit kujdesi mund të ofrohet nga familje të trajnuara dhe të miratuara për këtë qëllim, por edhe nga të afërm të fëmijës apo persona të tjerë të gatshëm të marrin përsipër përkujdesjen e tij.

Procesi nis me aplikimin përmes e-Albania. Më pas shërbimet sociale të bashkisë verifikojnë dokumentet dhe kryejnë një vlerësim të plotë të familjes. Në këtë proces përfshihen intervista me anëtarët e familjes, vizita në banesë, vlerësime sociale e psikologjike, dokumentacioni shëndetësor dhe verifikimi i gjendjes gjyqësore.

Vlerësimi parashikohet të mbyllet brenda 30 ditëve, ndërsa në raste të veçanta afati mund të zgjatet me 15 ditë. Familjet që rezultojnë të përshtatshme duhet të ndjekin edhe trajnimin përpara se të regjistrohen si familje kujdestare.

Në çdo bashki do të funksionojë një Komision Shumëdisiplinor për Kujdesin Alternativ në Familje, i cili do të shqyrtojë rastet dhe do të vendosë për formën e kujdesit që i nevojitet fëmijës. Për situatat emergjente procedura duhet të nisë menjëherë dhe të përfundojë jo më vonë se 24 orë nga referimi i rastit.

Vendimi përcakton edhe situatat kur kujdesi mund të ndërpritet. Kjo mund të ndodhë në rast neglizhence abuzimi, dhune, ndëshkimi fizik, presioni psikologjik apo shfrytëzimi ekonomik të fëmijës. Kujdesi përfundon gjithashtu kur fëmija rikthehet te familja biologjike, kalon në një formë tjetër mbrojtjeje ose mbush moshën 18 vjeç.

Familjet që aktualisht janë të miratuara si kujdestare do t’i nënshtrohen një rishikimi të dokumentacionit dhe profilit të tyre brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Rregullat e reja do të zbatohen pas botimit të VKM-së në 'Fletoren Zyrtare'./ZËRI

Poll

MOS HUMB