
TIRANË- Opozita proteston sërish! Kësaj here, Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë, e cila do të zhvillohet ditën e martë, më 19 nëntor, në orën 17.00. Data e protestës parashikohet që të mbahet kur në Kuvend të përfundojë edhe debati që po zhvillohet për buxhetin faktik të vitit 2025.
Orari është zgjedhur pasi atëherë parashikohen që të jenë orët e fundit të diskutimit dhe miratimit të buxhetit në parim.
Kjo është protesta e tretë e opozitës në kuadër të aksionit dhe "mosbindjes civile" që kanë nisur kundër qeverisë. Tubimin e lajmëroi kryedemokrati Sali Berisha gjatë një konference për shtyp me gazetarët. Berisha nuk dha shumë detaje për tubimin, por u shpreh se shumë shpejt opozita do të organizonte një protestë "të fuqishme" kundër projektbuxhetit.
Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, opozita nisi aksionin kundër maxhorancës, duke paralajmëruar protestadhe mosbindje civile. Aksioni nisi nga Kuvendi me opozitën që shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Tubimi i dytë u mbajt më 269 tetor pas arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Për 3 orë, opozita bllokoi disa nga akset kryesore të vendit./ZËRI