Politikë

Kuvendi mbyll punimet ditën e hënë, zbulohet rendi i ditës për seancën plenare, ja çfarë pritet të shqyrtohet

Në seancë do të diskutohen gjithashtu projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së një sërë institucionesh të pavarura për vitin 2025.

M.K.
Kuvendi mbyll punimet ditën e hënë, zbulohet rendi i ditës
foto nga kuvendi

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë të hënën, më 20 korrik 2026, seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar. Sipas rendit të ditës, të miratuar me urdhrin nr. 46, datë 17 korrik 2026, të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, deputetët do të shqyrtojnë raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025, si edhe projektligjin "Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)".

Në seancë do të diskutohen gjithashtu projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së një sërë institucionesh të pavarura për vitin 2025. Mes tyre janë Avokati i Popullit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Për secilin raport është parashikuar prezantimi nga drejtuesit e institucioneve, pyetje nga deputetët dhe, nëse kërkohet, zhvillimi i debatit parlamentar. Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, koha e diskutimeve do të ndahet mes shumicës dhe opozitës.

Kjo seancë do të jetë e fundit përpara mbylljes së sesionit parlamentar dhe nisjes së pushimeve verore.

RENDI I DITËS

Në mbështetje të urdhrit nr. 46, datë 17.7.2026, të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, rendi i ditës është si më poshtë vijon:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 16.7.2026

(Në mbështetje të nenit 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)

2. Njoftime

(Në mbështetje të nenit 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)

3. Raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025

(Në mbështetje të ligjit nr. 15/2015, “Për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të ndryshuar, dhe nenit 103/2 të Rregullores së Kuvendit)

Prezantimi i raportit:
Nga bashkëkryetarët.

4. Projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”

(Në mbështetje të neneve 78, 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, si dhe neneve 55 dhe 73 të Rregullores së Kuvendit; shumicë e thjeshtë votash për miratim)

Procedura e shqyrtimit:

Pyetje
Shprehet nismëtari
Shprehet Komisioni përgjegjës për Ekonominë, Punësimin dhe Financat
Dhënie mendimi nga Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Dhënie mendimi nga Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme
Diskutime (shprehen grupet parlamentare)
5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025”

(Në mbështetje të nenit 63 të Kushtetutës, nenit 26 të ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, dhe nenit 103 të Rregullores së Kuvendit; shumicë e thjeshtë votash për miratimin e projektrezolutës)

Procedura:

Paraqet raportin Avokati i Popullit (jo më shumë se 10 minuta)
Pyetje

(Në bazë të nenit 103, pika 7, të Rregullores së Kuvendit, pyetjet depozitohen me shkrim jo më vonë se 24 orë përpara seancës plenare)

Prezantohet projektrezoluta nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale

Zhvillimi i debatit

(Në mbështetje të nenit 103, pika 8, të Rregullores së Kuvendit, një komision i përhershëm, një kryetar grupi parlamentar ose të paktën 10 deputetë kanë të drejtë të kërkojnë me shkrim zhvillimin e debatit. Koha e debatit, e cila është jo më shumë se 120 minuta, ndahet në mënyrë të barabartë mes shumicës dhe pakicës, duke marrë parasysh edhe deputetët jashtë grupeve parlamentare.)

Minutazhi për debatin, nëse kërkohet:

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste: 71 minuta
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike: 30 minuta
Grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim”: 6 minuta
Grupi parlamentar “Partia e Lirisë”: 6 minuta
Deputetët jashtë grupeve parlamentare: 7 minuta/ZËRI

 

Poll

MOS HUMB