
TIRANË- Kreu i partisë “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, ka organizuar sërish protestë para Kryeministrisë ku kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë Edi Rama, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në protestë morën pjesë aktivistë të shumtë të partisë ku iu bërën thirrje Ramës të japë dorëheqjen e tij. Protesta u lajmërua disa ditë më parë nga “Lëvizja Bashkë”, pas arrestimit të Veliajt me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Arrestimi i Erion Veliajt është një hap i rëndësishëm në vendosjen e drejtësisë në Shqipëri. Gjithsesi korrupsioni në Shqipëri shkon më lart, tek Edi Rama. Sot Edi Rama duhet të ishte në burg bashkë me Erion Veliajn për inceneratorët, lejet e kullave në Tiranë, ligjin e investitorëve strategjikë dhe koncesionet e shumta. Kjo është detyra e institucioneve të drejtësisë. Detyrë dhe e drejtë e qytetarëve është të kërkojnë të mos qeverisen më nga një kryeministër i fund e krye i korruptuar, kloni politik i të cilit sot është në burg i akuzuar për 9 vepra korruptive. Në këto kushte, me përgjegjësinë më të lartë politike, Lëvizja BASHKË thërret të gjithë qytetarët në protestë të mërkurën në orën 18:00 përpara kryeministrisë. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen një orë e më parë”, thuhej në postim.
Kryebashkiaku Erion Veliaj do të njihet sot në GJKKO me masën e sigurisë. Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI