Politikë

Debate dhe kërcënime për mandatin, Lapaj "fton" Shabanin: Të ulemi për zgjidhje!

Lapaj bën hapa pas, teksa thekson se është në pritje të reflektimit dhe uljes për zgjidhje nga pala tjetër në Koalicion, Endri Shabanit.

zh.ll
Debate dhe kërcënime për mandatin, Lapaj "fton"
Endri Shabani dhe Adriatik Lapaj

TIRANË- Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar pas publikimit të mesazheve kërcënuese ndaj Endri Shabanit, nga kushërinjtë e tij që jetojnë në Kanada. Në reagim, Nisma "Shqipëria Bëhet" thotë se distancohet nga çdo formë gjuhe fyese, kërcënuese apo të dhunshme.

Po ashtu, në reagim u bëhet thirrje ndjekësve, simpatizantëve, aktivistëve dhe anëtarëve të angazhuar, të refuzojnë në çdo moment gjuhën e dhunës pavarësisht ngarkesës emocionale nga çdo padrejtësi. Në fund Lapaj bën hapa pas, teksa thekson se është në pritje të reflektimit dhe uljes për zgjidhje nga pala tjetër në Koalicion, Endri Shabanit.

REAGIMI:

Në dritën e ngjarjeve të fundit dhe përmbajtjeve të publikuara në rrjet, dëshirojmë të sqarojmë se nuk përfaqësojmë dhe nuk mbështesim asnjë formë gjuhe fyese, kërcënuese apo të dhunshme që bie ndesh me vlerat tona. Ne u bëjmë thirrje të gjithë ndjekësve tanë, simpatizantëve, aktivistëve dhe anëtarëve të angazhuar me ne, të refuzojnë në çdo moment gjuhën e dhunës pavarësisht ngarkesës emocionale nga çdo padrejtësi. 

Por, po aq të qartë duam të jemi edhe për një tjetër të vërtetë: Në këtë histori, të dhunuarit e vetëm janë 64.000 qytetarët që na votëbesuan dhe qindra aktivistët tanë që dhanë gjithçka në këtë betejë.

Ndiejmë keqardhje të sinqertë për situatën e krijuar në lidhje me çështjen e mandatit dhe ju sigurojmë se nuk po i shmangemi përgjegjësisë sonë, por po bëjmë çdo përpjekje të ndershme për të mos ju zhgënjyer dhe për të ruajtur besimin që na keni dhënë.

Sepse për ne, gara e ndershme dhe meritokracia janë dy shtyllat mbi të cilat u ngrit “Shqipëria Bëhet”. Ishin të vetmet armë që kishim përballë një sistemi të kalbur. Ishin këto dy parime që frymëzuan 64.000 qytetarë të na mbështesin pa interes.
Ndaj po goditen sot, me shënjestër të saktë, si nga snajperistët e zakonshëm të sistemit, ashtu edhe nga ata që u shërbejnë si zëdhënës.

Nëse gabimi ynë është dorështrirja për bashkëpunim, mund të na gjykoni! Ne po kërkojmë thjesht që marrëveshja parazgjedhore të realizohet ashtu siç u dolëm qytetarëve në fushatë. Është pikërisht ajo pika që dëshmon qasjen tonë për garën.

Theksojmë se ne nuk do të heqim dorë nga besimi që gara e ndershme është rruga e vetme për të rikthyer besimin në demokraci. Përtej çdo shantazhi e hileje, brenda e jashtë sistemit, ne do të qëndrojmë.

Jemi në pritje të reflektimit dhe uljes për zgjidhje nga pala tjetër në Koalicion. Ne e konsiderojmë këtë një moment që duhet tejkaluar si detyrë ndaj zgjedhësve tanë. Jemi në pritje të Z.Shabani dhe Z.Soko për ta adresuar me maturi e të vazhdojmë punën për zgjedhjet vendore. Sepse rrugën e nisur, nuk do ta lëmë në mes!

Kërcënimi në fjalë, ndaj Endri Shabanit është dërguar nga kushëriri i Adriatik Lapajt, konkretisht Matjan Rexhepaj. Gjithashtu, kushëriri tjetër, Aranit Rexhepaj, i ka nisur një mesazh kërcënues edhe dajës së Shabanit, Zeqir Korxhoni./ZËRI/

Poll

MOS HUMB