
TIRANË- Tashmë Bashkia e Tiranës ka një drejtuese të re! Kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj ka firmosur nga qelia e paraburgimit të Durrësit shkarkimin e nënkryetares Anuela Ristani nga posti i kryetares së komanduar. Të gjitha përgjegjësitë e tij ia ka deleguar Sara Goxhajt. Kështu, nga dita e djeshme, një nga 5 nënkryetaret e Bashkisë së Tiranës ka postin e kryetares së komanduar. Rrjedhimisht, vendimi për Ristanin i firmosur më 14 Shkurt shfuqizohet.
“Znj, Sara Goxhaj, Nën/kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryejë përkohësisht edhe detyrat e kryetarit të bashkisë Tiranë. Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë. Urdhri nr. 366, datë 14.02.2025 “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shfuqizohet. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Kabineti i Kryetarit, Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Brendshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Medias dhe Komunikimit për qytetarët për zbatimin e këtij urdhri,”- thuhet në dokumentin e firmosur nga Veliaj.
Anduena Ristani u komandua në këtë post një ditë pas arrestimit të Erion Veliajt, i cili u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste.
Veliaj akuzohet se ka përfituar 3 vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI