Politikë

"Loja mbaroi"! Kolegji Zgjedhor certifikon zgjedhjet e 11 majit, rrëzohet padia e PD-së

Si instanca më e lartë, vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor mbyll përfundimisht betejën ligjore për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.

zh.ll
"Loja mbaroi"! Kolegji Zgjedhor certifikon zgjedhjet e 11 majit,
Foto ilustruese

TIRANË- Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar këtë të enjte, 4 shtator, ankimimin e Partisë Demokratike për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Vendimi i mor me shumicë votash nga Kolegji Zgjedhor. Si instanca më e lartë, vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor mbyll përfundimisht betejën ligjore për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Pas këtij vendimi, hapet rruga për presidentin Begaj që të nxjerrë dekretin për mbledhjen e Parlamentit në legjislaturën e re. 

Partia Demokratike (PD) depozitoi më 1 shtator, në Kolegjin Zgjedhor padinë që kishte paralajmëruar se do të dorëzonte kundër vendimit të Komisionit Rregullator që certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit. Në padi, PD ka kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 11 majit 2025, duke pretenduar se procesi është shoqëruar me shkelje të rënda ligjore dhe parregullsi. 

Më 28 gusht, Komisioni Rregullator (KRR) shpalli rezultatin përfundimtar, duke certifikuar zgjedhjet e 11 majit. Kështu Partisë Socialiste i certifikohet rezultati i 83 mandateve, Partia Demokratike me 50 mandate, Partia Social Demokrate me 3 mandate, Partia Mundësia me 2 mandate dhe Nisma Shqipëria Bëhet, 1 mandat.

Ndërkohë, ZËRI bëri me dije se në datën 11 shtator, kryeministri Edi Rama do të mbledhë Asamblenë Kombëtare dhe do të shpallë qeverinë me të cilën do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme. Në Asamblenë e 11 shtatorit pritet gjithashtu të shpallen edhe emrat për postet e rëndësishme politike si zëvendëskryeministri, kryetari i Kuvendit dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS./ZËRI 

Poll

MOS HUMB