TIRANË- Ish-ministrja Elisa Spiropali ka dorëzuar në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste mocionin për hapjen e debatit mbi “Marrëveshjen për Shqipërinë e re”.
Në një prononcim për mediat para nisjes së seancës plenare, Spiropali deklaroi se dokumenti nuk është një nismë personale, por një platformë e hapur për të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste.
Ajo tha se ka mbajtur premtimin e dhënë dhe se mocioni i është drejtuar kryetarit të PS-së, Edi Rama, Asamblesë Kombëtare dhe të gjithë anëtarësisë së partisë, ndërsa shtoi se dokumenti do të jetë i hapur edhe për publikun.
Sipas Spiropalit, nisma nuk ka si qëllim përçarjen brenda socialistëve, por hapjen e një procesi diskutimi dhe bashkimin e energjive brenda partisë dhe shoqërisë shqiptare.
"E mbajta premtimin sot dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Partisë Socialiste mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nga ana ime premtimi u mbajt dhe iu përgjigja thirrjes së kryetarit. Nuk është vetëm një dokument imi, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS. Ia kam drejtuar kryetarit të PS, anëtarëve, kryeministrit dhe Asamblesë. Do të jetë e hapur sepse çdo marrëveshje për Shqipërinë s’mund të hartohet nga 1 apo 10 individë por të shprehë vullnetin e shumicës shqiptare që në këtë moment kërkon më shumë përfaqësim, demokraci, drejtësi shoqërore, marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarit, model ekonomik që i përgjigjet nevojave dhe të rinjtë që janë në pararojë të kërkesave për ndryshim, janë ata që presin më shumë na ne dhe unë kam gjithë besimin që kjo shumicë qeverisëse dhe PS i ka të gjitha mundësitë për t’iu përgjigjur kësaj kërkese.
Kjo s’është kërkesë për fraksion apo përçarje, është kërkesë për bashkim të të gjithë energjive progresiste të PS. Ne duhet t’u përgjigjemi qytetarëve jo me arrogancë, por me përulësi duke i dëgjuar dhe kanalizuar në rrugë edhe institucionale kërkesave të tyre”, tha ajo./ZËRI