
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë si rrallë herë në mbrojtje të Stukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organozuar dhe GJKKO. Në fjalën e tij, gjatë një konference për mediat, kreu i PD tha se protestuesit sulmuan makinat e gjykatësve dhe punonjësve të administratës së gjykatës, duke i quajtur këto veprime si aktet e banditëve. Sipas kryedemokratit, këto akte kanë cënuar Kushtetutën, ndaj edhe i dërgoi një mesazh kryeministrit Edi Rama.
"Unë i jap ultimatum Edi Ramës, mos guxo të organizosh protestë tjetër se opozita do të përgjigjet me një kundërprotestë që ti nuk mund ta imagjinosh. Mos guxo, mbaje mend këtë. Po thirrje protestë, do thirret protesta përfundimtare për ty. Po shkojmë drejt zgjedhjeve, ki kurajën të përballesh me votën e shqiptarëve, por sulmi që bëre, tejkalove El Çapon, Toto Rinën dhe çdo kriminel në pushtet dhe jashtë pushteti që ka ekzistuar gjer sot,"-tha Berisha.
Rrethimi i godinës së SPAK/ Berisha: Sulm kriminal nga narkoshteti ndaj institucioneve të drejtësisë
Dje, qytetarët shqiptarë dhe komuniteti ndërkombëtar ishin dëshmitarë të akteve më të shëmtuara në historinë e narkoshtetit sulmit kriminal ndaj institucioneve të drejtësisë nga institucione të tjera të narkoshtetit. Dje ishte puntata më kulmore e Narkosit në Shqipëri. Protestë e organizuar, e lajmëruar nga Edi Rama dhe qeveria e tij, nga rrogëtarë të shtetit dhe policë me dhe pa armë, rrethuan për orë të tëra gjykatën speciale dhe prokurorinë speciale. Mbajtën të ndryrë në gjykatë, gjykatës dhe punonjës të administratës së gjykatës, sulmuan si banditë makinat e tyre. U sollën sikur ato të ishin institucione të pushtuesit. Një sulm i tillë dëshmon jo vetëm dështimin e plotë dhe total, por shkallën e jashtëzakonshme të kriminalizimit të drejtuesve të narkoshtetit shqiptar. Të dërgosh mijëra policë dhe rrogëtarë shteti për të rrethuar një institucion të zbatimit të ligjit, të kërcënosh me jetë gjykatësit, i nxitur direkt nga Edi Rama, është një apel për çdo shqiptar. Dëshmon se je i gatshëm të përdorësh çdo mjet antidemokratik, të përdorësh dhunën sa herë që zbatimi i ligjit nuk të intereson. Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo mazhorancë, kjo pseudomazhorancë apo narkomazhorancë, ka faktuar se nuk njeh ligj, nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Por, në një akt të pashembullt në historinë e një shteti, por natyrisht në një akt tipik të një narkoshteti, kjo zgjodhi tani sulmet fizike kundër gjykatësve dhe prokurorëve që kanë vendosur ndryshe nga sa dëshiron narkomazhoranca. Nuk është kjo një akt i papritur. Nuk është kjo një rezultat i momentit. Jo, të dashur qytetarë. Ky është rezultati i ndërtimit prej vitesh të një narkoshteti në këtë vend, i mbështetur fuqishëm nga Xhorxh Soros dhe mafia e tij. Mos harroni se Edi Rama dhe Erion Veliaj që organizuan në mënyrën më të turpshme, më kriminale, më të padenjë rrethimin e institucioneve të drejtësisë dhe sulmin fizik ndaj prokurorëve dhe gjykatësve, mbajtjen peng në ndërtesë për orë të tëra duke mos i lënë për të dalë, kanë kryer gjer në këtë akt, me dhjetëra akte të tjera, për të cilat edhe mund të jenë mbështetur dhe duartrokitur. Me këtë akt, Edi Rama dhe banda e tij, organizata e tij kriminale që kryeson, u dëshmuan shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ata pranojnë një drejtësi që shtrihet tek këmëbt e tyre, që u nënshtrohet atyre. Kurrë nuk kam lexuar, nuk kam dëgjuar, që një shtet, përveç narkoshteteve që të kenë një qëndrim të tillë, të kryejnë akte të tilla ndaj institucioneve të një pushteti tjetër, që në Kushtetutë dhe në parim ndërkombëtar duhet të jetë i pavarur. Janë tejkaluar të gjitha normat. Unë i jap ultimatum Edi Ramës, mos guxo të organizosh protestë tjetër se opozita do të përgjigjet me një kundërprotestë që ti nuk mund ta imagjinosh. Mos guxo, mbaje mend këtë. Po thirrje protestë, do thirret protesta përfundimtare për ty. Po shkojmë drejt zgjedhjeve, ki kurajën të përballesh me votën e shqiptarëve, por sulmi që bëre, tejkalove El Çapon, Toto Rinën dhe çdo kriminel në pushtet dhe jashtë pushteti që ka ekzistuar gjer sot.
Të mërkurën, qindra mbështetës të Partisë Socialiste u mblodhën para kangjellave të Gjykatës së Posaçme duke protestuar kundër arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pjesë e tubimit ishin edhe personazhe publike. Që atë ditë opozita ngriti zërin duke kërkuar që si në protestat e tyre, edhe kësaj here të vendosej gardhi rrethues. Por mesa duket të njëjtat pretendime ka edhe GJKKO dhe SPAK. Dje në Kuvend, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se masat nuk ishin marrë për shkak se nuk ishin lajmëruar për protestë./ZËRI