Politikë

'Sa ka kushtuar LaCivita?'/ Berisha: Do e them, por jo tani! E donte edhe Rama. Ish-shefi i fushatës së Trump: PS s'më ka kontaktuar

Kryedemokrati Berisha tha se kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan në SHBA, Chris LaCivita është kontaktuar më parë nga kryeministri Edi Rama.

k.m.
'Sa ka kushtuar LaCivita?'/ Berisha: Do e them, por jo tani! E donte
Chris LaCivita, Edi Rama dhe Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe ish-kreu i fushatës së Donald Trump, Chris LaCivita nuk kanë rënë "dakord" për faktin nëse ky i fundit është kontaktuar apo jo nga kryeministri Edi Rama. Mbrëmjen e djeshme, në emisonin "Opinion", kryedemokrati Berisha tha se kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan në SHBA, Chris LaCivita është kontaktuar më parë nga kryeministri Edi Rama. Sipas Berishës, kryesocialisti bëri gjithçka që LaCivitan ta kishte pjesë të fushatës së tij, por nuk ia doli. 

Sali Berisha: Chris LaCivita, kryestateg botëror i zgjedhjeve. Gjeni i fushatës elektorale në SHBA, e cila kësaj here ishte pothuajse, bota në një anë dhe Trump në anën tjetër. Makineria mediatike, e polleve kundër, në tërësi qeveritë kundër tij përveç Orbanit, Melonit, e djathta polake dhe Sali Berishës në Shqipëri. Megjithatë, këta ja dolën që të realizojnë rikthimin më të jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit në botën e lirë. Të jem i sinqertë me ju, ai që foli në atë mënyrë, ai bëri gjithçka që t’i merrte.

Blendi Fevziu: Rama ka tentuar që ta merrte këtë kompani. A je i sigurtë?

Sali Berisha: Unë nuk po hyj në hollësira. Ai është sot njeriu më i kërkuar për zgjedhjet. Trump ka deklaruar se armiku më i rrezikshëm i SHBA është ai i brendshëm dhe në krye është George Soros. Atë qëndrim që i bënë Trumpit, ekstremizmi i majtë ja bëri Berishës.

Por pretendimet e Berishës u rrëzuan në një emision paralel. Ish-kreu i fushatës së Donald Trump, Chris LaCivita tregoi në një intervistë për gazetarin Çim Peka se nuk ishte kontaktuar nga Edi Rama për të drejtuar fushatën e tij elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Madje e mohoi kategorisht këtë pretendim. 

“Ai nuk më ka kontaktuar ndonjëherë. Dhe unë nuk punoj për komunistët. Apo për produkte të komunizmit. Megjithatë ngjashmëritë ndërmjet garës këtu në Shqipëri dhe garës në Shtetet e Bashkuara, janë fakti se opozita politike ndaj partisë në pushtet, në mënyrë të padrejtë, është përndjekur dhe është ndjekur penalisht ose janë ngritur dyshime ndaj saj dhe ne kemi mundësi të përforcojmë t’i rijetëzojmë demokracinë. Dhe të kemi nga pas edhe një Amerikë të fuqishme, e cila punon me Donald Trump-in. Dhe prandaj njerëzit duhet të zgjedhin këtë si model, si shembull dhe të votojnë për të ardhmen, dhe vota për të ardhmen është vota për Berishën dhe opozitën,”- tha LaCivita.

Por sa ka kushtuar Chris LaCivita?

Kryedemokrati Sali Berisha thotë se kontrata me Chris LaCivita për të drejtuar fushatën e PD-së është normale dhe me burime financiare të kristalta. Por sërish ka zgjedhur që të mos e bëjë ende publike. Megjithatë, "premtoi" se sapo kontrata të marrë një formë përfundimtare, do ta bëjë publike, madje edhe me detaje sesa do t'i kushtojnë shërbimet e LaCivitës.

Sali Berisha: Kontratë normale nga burime finianciare të kristalta. Sapo të marrë formën përfundimtare shuma unë do jua them. Do e depozitoj në KQZ. Nuk e fsheh kurrë, ta harrojë kush. Këta kanë publikuar shifra 20 milionë Euro, etj, etj, janë 20 milionë mashtrime. Unë kontratën, është me burime financiare të kristalta, është me transferta bankare, është në përputhje me ligjin dhe do depozitohet në KQZ. A mund të mendohet se ndodh ndryshe me kryestategun elektoral? Ai është Kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan sepse duhet të mbrohet fitorja në vazhdim e republikanëve. Ky është një pozicion jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është marrë për fushatën këtu./ZËRI

Poll

MOS HUMB