TIRANË- Një debat i ashpër është zhvilluar në Kuvend mes kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dhe deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, gjatë diskutimeve për Kosovën dhe vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Përplasja nisi pasi Shehu akuzoi mazhorancën se nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të mbrojtur Kosovën. Madje, deputeti kritikoi gjithashtu kryeministrin Rama lidhur me qëndrimin e tij ndaj Gjykatës Speciale, duke pretenduar se Rama kishte luajtur rol në bindjen e liderëve politikë në Kosovë për krijimin e saj.
“Ç’hapa konkret ka ndërmarrë qeveria shqiptare në arenën ndërkombëtare për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë dhe për kompensimin që i takon shqiptarëve të Kosovës të dalë nga lufta. Sepse ndryshe nga konflikti ruso-ukrainas, kur flasim për dëmin në kontekstin e Kosovës, po flasim për gjenocidin e një shteti dhe të një ushtrie fashiste të ushtruar mbi një popullsi të pambrojtur. Kur do i vijë radha popullit të Kosovës që të dëmshpërblehet.
Ç’rol ka luajtur shteti shqiptar në këtë drejtim? Si mundet që kjo qeveri të kërkojë njohjen e gjenocidit serb në Kosovë nga ndërkombëtarët, kur keni qenë ju deputetët e PS që keni rrëzuar propozimin për njohjen e gjenocidit serb. Me çfarë fytyre Rama sot kundërshton vendimin e Gjykatës Speciale të Hagës, kur në delirin e madhështisë të vetëshpalljes lider ballkanik, të atij që do lobonte në emër të ndërkombëtarëve, i kërceu helikopterit për të shkuar e për të bindur homologët e tij në Kosovë për krijimin e Speciales.", tha mes të tjerash Muçi.
Akuzave të tij iu përgjigj Taulant Balla, i cili e cilësoi Muçin si “kalama” dhe tha se fjalimet e tij në Kuvend shkruhen nga të tjerë. Me tone ironie, Balla e cilësoi Muçin si “rastin unik” që do ta bëjë mandatin përgjysmë, duke iu referuar zëvendësimit të tij vitin e ardhshëm.
“Kur vjen në Kuvend vjen me fjalime që t’i kanë shkruar të tjerët. Ti je rasti unik që do e bësh mandatin përgjysmë, sepse vitin tjetër do të duhet të vijë zëvendësuesi, sipas marrëveshjes që keni bërë. Por thuaji atij zëvendësuesit tënd, Qorrit, që fjalimet të t’i shkruajë tamam. Ishe këtu ti sot kur ne votuam një deklaratë që denoncohet nga Kuvendi i Shqipërisë gjenocidi në Kosovë? Por kur kalamaj si puna jote vijnë këtu dhe me pa asnjë të drejtë përdorin një moment kaq të vështirë për shqiptarët për llogari politike, ky është rasti tipik për t’i thënë votuesve që të mos sjellin më kalamaj në sallë, se e çoni votën dëm”, tha Balla./ZËRI