TIRANË-Ambasadorja e re e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa merr sot zyrtarisht detyrën. Moreira dorëzon sot kredencialet te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Ceremonia zyrtare është parashikuar të zhvillohet në Presidencë, duke shënuar nisjen zyrtare të detyrës së diplomates portugeze në Tiranë. Sofia Moreira de Sousa do të zëvendësoje Silvio Gonzaton, i cili pas tre vitesh mbylli misionin e tij diplomatik në vendin tonë.
Diplomatja portugeze ka një përvojë të gjatë në institucionet dhe strukturat diplomatike evropiane. Para emërimit si ambasadore e BE-së në Shqipëri, ajo ka shërbyer si Drejtuese e Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Portugali. Më herët, Moreira de Sousa ka mbajtur edhe postin e Ambasadore së Bashkimit Evropian në Kepin e Gjelbër.
Në fillimet e karrierës, ajo ka punuar në departamentin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Agjencisë Europiane të Hapësirës, ku është angazhuar në aspektet ndërkombëtare të programit satelitor Galileo.
Në vitet 2005-2006, diplomatja portugeze ka shërbyer si këshilltare e lartë e Përfaqësuesit Special të BE-së për Kaukazin, një detyrë që e ka përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike të rajonit. Më pas, deri në vitin 2014, ajo ka qenë këshilltare e lartë e zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të BE-së dhe pjesë e strukturave që merreshin me negociatat për çështje të lidhura me Iranin dhe marrëdhëniet e BE-së me Partnerët Lindorë.
Ajo ka drejtuar gjithashtu programe trajnimi në Akademinë e Drejtësisë Europiane në Trier të Gjermanisë, ku është marrë me përgatitjen e kurseve për gjyqtarë dhe magjistratë mbi të drejtën dhe jurisprudencën europiane. Para angazhimit në institucionet europiane, Moreira de Sousa ka ushtruar profesionin e avokates për dy vjet në një studio ligjore në Porto, qytetin e saj të lindjes. Diplomatja portugeze ka studiuar drejtësi në Portugali dhe ka përfunduar një program LLM në të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Hamburgut, në Gjermani./ZËRI