TIRANË-Vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë dhënë sot dritën jeshile për vijimin e procedurës së miratimit të IBAR-it për Shqipërinë. Varianti final i dokumentit IBAR, i dakordësuar mes shteteve anëtare ne COELA, ndalet tek mënyra si po funksionon shteti shqiptar, drejtësia, lufta kundër korrupsionit, raporti i politikës me SPAK-un, problemet në sektorin e ndërtimit, si dhe pasuritë e paluajtshme.
Në dokument janë shtuar referenca shumë më të forta për SPAK-un dhe presionet politike ndaj tij, korrupsioni cilësohet si “shqetësim kritik”, ndërsa për herë të parë përmenden “rrjetet patronazhiste”, keqpërdorimi i burimeve shtetërore në zgjedhje dhe problemet me pronat ne zonat bregdetare dhe minoritare.
"BE-ja shpreh keqardhje dhe i kërkon Shqipërisë që të adresojë në mënyrë efektive përpjekjet në rritje dhe
shqetësuese nga zyrtarët publikë ose politikanët, përfshirë ato në nivele të larta, për të ushtruar ndikim të tepruar mbi institucionet e drejtësisë, duke përfshirë Strukturën e Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të forcojë më tej qëndrueshmërinë e institucioneve të drejtësisë ndaj rasteve të ndërhyrjes së brendshme dhe të jashtme, duke përfshirë duke siguruar që KLGJ dhe KLP të vazhdojnë të reagojnë me vendosmëri ndaj sulmeve ndaj gjyqësorit nga përfaqësuesit e degës ekzekutive ose legjislative. BE-ja nënvizon fuqimisht nevojën që si ekzekutivi ashtu edhe legjislativi i Shqipërisë të respektojnë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit dhe të zbatojnë plotësisht, si çështje prioritare, vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese, duke vënë në dukje rastet e kaluara të zbatimit të paplotë dhe të vonuar të vendimeve nga ekzekutivi dhe legjislativi,"-thuhet në raportin final.
Në raport theksohet se Kuvendi dhe në veçanti qeveria duhet të përmbahen e të mos ndërhyjnë në institucionet e drejtësisë duke mos i lejuar që të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardet evropiane, veçanërisht ato të përcaktuara nga Komisioni i Venecias, lidhur me imunitetin.
"BE-ja nënvizon se legjislacioni dhe praktikat në lidhje me heqjen e imunitetit duhet të udhëhiqen nga standardet evropiane, veçanërisht ato të përcaktuara nga opinionet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. BE-ja nënvizon rëndësinë që Shqipëria të sigurojë integritetin, transparencën dhe standardet më të larta të bazuara në meritë në emërimin e të gjithë anëtarëve të organeve vetërregulluese dhe të organeve të tjera kyçe gjyqësore dhe prokuroriale,'-thuhet në dokument.
BE-ja thekson nevojën që Shqipëria të ndërmarrë hapa vendimtarë dhe të qëndrueshëm për të rritur integritetin brenda policisë, për të siguruar hetime të vazhdueshme dhe të plota nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Policisë, për të adresuar numrin e lartë të rotacioneve dhe për të siguruar emërime, transferime dhe ngritje në detyrë brenda policisë të bazuara në meritë dhe transparente.
Sa i përket kritereve që Shqipëria duhet të përmbushë në ekonomi, nënvizohet se "Shqipëria duhet të trajtojë çrregullimet që ende ekzistojnë në sektorët e pasurive të paluajtshme dhe industrisë së ndërtimit për shkak të korrupsionit, titujve të paplotë të të drejtave të pronësisë, dobësive në kuadrin ligjor dhe transaksioneve jo-financiare".
Gjithashtu vendit tonë i kërkohet të rrisë mbulimin dhe përshtatshmërinë e mbrojtjes sociale dhe sigurimit shëndetësor për të zvogëluar pjesën e popullsisë në rrezik varfërie dhe për të mundësuar një zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës dhe të ekuilibruar shoqërisht.
Pas miratimit të IBAR, dosja i kalon COREPER II, Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, ku do të bëhet edhe sanksionimi formal i mbajtjes së Konferencës së 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Miratimi i pritshmë në COREPER II i hap rrugë mbajtjes së IGC8 më 26 maj.