TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u mblodh sot në një dëgjesë publike, ku vendosi shtyrjen për një ditë tjetër shqyrtimin e vendimit për gjobat dhe vërejtjet ndaj kandidatëve. Vendimi erdhi pas pretendimeve të Partisë Demokratike se disa prej tyre nuk janë njoftuar për gjetjen e auditit.
Gjithashtu, në dëgjesën publike, ishte planifikuar të shqyrtohej edhe mandati i Kreshnik Hajdarit si kryebashkiak u Kuçovës. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi nuk ka shpallur një vendim lidhur me kërkesën për shkarkimin e Hajdarit, pasi deklaroi se ndodhet në konflikt interesi dhe u tërhoq nga vendimarrja.
"E konsideroj veten ne konflikt te interesit ndaj tërhiqem nga kjo çështje. Nëse për ju kjo çështje përbën shqetësim, dhe ju e cilësoni të përligjur, me argumentin që kam paragjykuar këtë çështje për një vendimmarrje të shkuar, me të drejtën dhe detyrimin që më jep kodi i procedurës administrative, po heq dorë nga kjo çështje.", është shprehur Celibashi.
Përfaqësuesi i tij ligjor deklaroi se ai nuk ndodhet në kushtet që i ndalojnë ushtrimin e mandatit si kryetar i Bashkisë Kuçovë. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Lefter Maliqit, Arben Llangozi, kërkoi përjashtimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, duke argumentuar se ai e ka mbajtur më herët një qëndrim për të njëjtën çështje.
Kreshnik Hajdari prej dy vitesh mban funksionin e Kryebashkiakut të Kuçovës, edhe pse rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë në korrik 2024 nga GJKKO, për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Në 23 qershor të vitit 1999, ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje. Atëherë, Kreshnik Hajdari ishte 17 vjeç dhe si i mitur iu vendos masa e riedukimit, por këtë dënim nga Gjykata e Janinës, nuk e kishte deklaruar.
Më 14 nëntor të vitit 2023, Komsioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të mos e cënonte mandatin e Kreshnik Hajdarit, i cili kishte fshehur një dënim në formularin e vetëdeklarimit. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi me 9 muaj burg kryebashkiakun socialist. Por, në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, që parashikon ulje të dënimit në rast të procedurës së gjykimit të shkurtuar, të pandehurit i është ulur një e treta e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burg.
Prokuroria i kërkon KQZ-së të marrë në shqyrtim informacionin e përcjellë, ndërsa çështja pritet të vijojë me zhvillime të mëtejshme dhe do të jetë pikërisht kjo e fundit që do vendosë për mandatin si kryebashkiak të Hajdarit, nëse do ndërpritet apo jo, kur jemi një vit para zgjedhjeve lokale të ardhshme./ZËRI