Politikë

Zbardhet DRAFTI, për çfarë ranë dakort PS-PD: Kreu i SPAK s’raporton më në Kuvend. Jo seanca pas orës 22:00!

Ndryshime pësoi dhe formula e propozimeve të kandidatëve për institucionet e pavarura, ku tani e tutje, një deputet ka të drejtë të mbështesë me firmë vetëm 1 emër. 

F.I
Zbardhet DRAFTI, për çfarë ranë dakort PS-PD: Kreu i SPAK
Kuvendi i Shqipërisë

TIRANË-Sot në seancën plenare pritet të votohet drafti me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Drafti vjen si produkt i një dakordësie mes Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, pas muajsh debatesh politike. Marrëveshja përmban lëshime nga të dyja palët.

Palët kanë rënë dakord që institucionet të cilat duhet të bëjnë bilancin e tyre vjetor, në sallën e Kuvendit, të kufizohen, me vetëm ato për të cilat në Kushtetutë thuhet shprehimisht se duhet të raportojnë në seancë.

Me këtë ndryshim, në sallën e parlamentit do të duhet të japin llogari vetëm Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Drejtuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, dhe jo institucione të tjera, siç është SPAK. 

Institucionet e tjera, përfshirë SPAK, do të duhet të paraqiten vetëm në komisionet përgjegjëse parlamentare. Pra, statistikat për krimin e zakonshëm do të dëgjohen në sallën plenare, ndërsa raportimi për korrupsionin dhe krimin e organizuar zhvendoset tek komisionet.

Një pikë tjetër e cila ka ndryshuar propozimi i PD-së është që seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse. Po ashtu u pranua dhe kërkesa tjetër e opozitës që masat disiplinore të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit. Ndryshime pësoi dhe formula e propozimeve të kandidatëve për institucionet e pavarura, ku tani e tutje, një deputet ka të drejtë të mbështesë me firmë vetëm 1 emër. 

Një tjetër pikë për të cilën kanë rënë dakord palët janë këshilltarët politikë ku PD kishte kërkuar që këshilltarët të jenë bazuar në numrin e komisioneve. Aktualisht PS ka 11 këshilltarë dhe PD vetëm 8, ndërsa tanimë të dy grupet më të mëdha do të kenë nga 11 këshilltarë.

Ndërkohë mazhoranca është tërhequr nga propozime si, kufizimi i kohës së debateve, mënyra e raportimit nga institucionet dhe procedura e përshpejtuar për projektligjet e BE-së. 

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB