Politikë

“Mirënjohje dhe respekt”, Rama mesazh për forcat operacionale: Mbrojtën mes flakëve jetët e banorëve

Ai falënderoi forcat operacionale për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në terren, duke u shprehur se punuan pa ndërprerje për të shpëtuar jetët e banorëve.

l.k
“Mirënjohje dhe respekt”, Rama mesazh për forcat
Edi Rama, foto nga zjarri në Krujë


TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të reagojë sërish lidhur me zjarrin e madh që përfshiu Krujën një natë më parë. Ai falënderoi forcat operacionale për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në terren, duke u shprehur se punuan pa ndërprerje për të shpëtuar jetët e banorëve.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë ka publikuar mesazhin e një banori të Krujës, i cili e falënderon për ndërhyrjen nga ajri dhe angazhimin e qeverisë për shmangien e një tragjedie në qytet. Ndër të tjera, kreu i qeverisë bën me dije se aktualisht është aktive vetëm një vatër e izoluar në majën e Malit të Krujës.

“Mirënjohje dhe respekt i thellë për pilotët e Forcës Ajrore, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si edhe trupat speciale të ushtrisë dhe policisë, që mbrojtën mes flakëve jetët e banorëve të Krujës, duke ia dalë me sukses një sfide të frikshme, ndërsa nga Kruja në Kamëz, Tiranë dhe Vorë luftuan pa ndërprerje me zjarret e këtij gushti përvëlues.

Aktualisht, vetëm një vatër e izoluar në majën e Malit të Krujës vijon të mbetet aktive, por njëkohësisht mbeten burim krenarie e motivimi për trupat tona përgëzimet dhe mesazhet e panumërta të banorëve, ndër të cilët edhe ky mesazh:

‘Zoti Kryeministër, unë jam nga qyteti i Krujës, emigrant prej 30 vitesh në Belgjikë. Së pari, ju uroj shëndet. Së dyti, dua t’ju falënderoj juve personalisht për mbështetjen me ndërhyrjen ajrore dhe angazhimin e qeverisë në tragjedinë e ndodhur. Dhe së treti, djemtë e zjarrfikësve të Krujës – u bë gjithçka që mund të bëhej për shuarjen e atij zjarri të paparë ndonjëherë. Me respekt.’” , shkruan Rama.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB