Politikë

Modernizimi i administratës, Rama: Do krijojmë model të AI. Gjermanët s’janë të pakorruptueshëm

Kryeministri mori shembull gjermanët duke u shprehur se ata nuk e kanë në ADN që janë të ndershëm, por kanë një sistem shtetëror që e bën të vështirë.

F.I
Modernizimi i administratës, Rama: Do krijojmë model të AI.
Edi Rama

TIRANË-Sot u prezantua raporti monitorues i OECD/SIGMA për Shqipërinë për vitin 2024, në eventin “Transformimi i Shërbimit Publik: Themeloret e Reformës së Administratës Publike në Shqipëri”. Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në prezantimin e raportimit të OECD/SIGMA. Rama është shprehur se qeveria shqiptare po punon me 'Microsoft' për një model të Inteligjencës Artificiale për prokurimet publike. Sipas kreut të qeverisë  ky model i AI do të bëjë që prokurimet të jenë shumë herë më tepër transparente dhe të jenë shumë më të shpejta duke krijuar, sipas tij, shumë më tepër mundësi për punonjësit e administratës që të merren me çështjet e tjera.

Edi Rama: Jemi duke punuar për një model të Inteligjencës Artificiale dhe aty, që edhe tek prokurimet publike, si tek shërbimet publike ne të kemi në një masë shumë të madhe instrumentin teknologjik që bën procesin. Kjo do të bëjë që prokurimet të jenë shumë herë më tepër transparente, të jenë shumë më të shpejta, të krijojnë shumë më tepër mundësi për punonjësit e administratës që të merren me çështjet e tjera sepse vetëm të numërosh sa komisione prokurimesh ngrihen në Shqipëri dhe sa punonjës në të gjitha nivelet futen nëpër komisione prokurimi, janë një ushtri e tërë, me dhjetëra e mijëra njerëz, që normalisht nuk janë as të detyruar e as mund t’ia kërkosh që të dinë çdo gjë për sesi bëhet një proces prokurimi. Ndërkohë që me sistemin që po ndërtojmë, në një periudhë kohe të arsyeshme do mund të bëjmë një hap të jashtëzakonshëm përpara. Po punojmë me Microsoft në mënyrë intensive. Kemi siguruar që të drejtën e autorit do ta ketë qeveria shqiptare. Kështu që, pasi ta mbarojmë edhe do ia shesim atyre që duan të përmirësojnë sistemet e prokurimit edhe ndonjë vendi të Bashkimit Europian po ta kërkojë, do ia japim me shumë kënaqësi.

Sa i përket korrupsionit në vend, Rama u shpreh se për ta luftuar duhet që të modernizohet sistemi. Kryeministri mori shembull gjermanët duke u shprehur se ata nuk e kanë në ADN që janë të ndershëm, por kanë një sistem shtetëror që e bën të vështirë.

Edi Rama: E rëndësishme është organizimi i gjithë sistemit, nëse nuk modernizohen, nuk ka shans që problematika e korrupsionit të zgjidhet vetëm me anën represive të shtetit. Duhet që sistemet tona të qeverisje duhet të jenë të tilla të mos lejojnë korrupsionin.  Dua ta mbyll me prokurimet publike, është një pikë ku mund të shihet progresi i jashtëzakonshëm që është bërë për luftën kundër korrupsionit nga ana e modernizimit. E rëndësishëm është organizimi i gjithë sistemit, nëse nuk modernizohen, nuk ka shans që problematika e korrupsionit të zgjidhet vetëm me anën represive të shtetit. Duhet që sistemet tona të qeverisje duhet të jenë të tilla të mos lejojnë korrupsionin. Gjermanët nuk janë të pakorruptueshëm, nuk e kanë në ADN që janë të ndershëm por kanë një sistem shtetëror që e bën të vështirë. Shqiptarët në Gjermani, që të hipin në makinë dhe të ecin pa vendosur rripin e sigurimit nuk ka. Në Shqipëri kishte punonjës të ambasadës gjermane që i jepnin makinës pa rrip, nuk është personi, por sistemi. Më sillni mua disa gjermanë ti çoj në një zyrë ku akoma kemi problematika të tilla dhe do ti shohin pas 40 ditësh kur te kalojnë ato 40 ditët e tundimeve të Krishtit.

Ndër të tjera në fjalën e tij, Rama shprehu mirënjohjen për raportin e SIGMA dhe për drejtuesin e këtij programi sipas të cilit Shqipëria është një vend lider në rajon për reformat në administratën publike. Eventi ishte bashkëorganizim i Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe OECD/SIGMA, një partner i rëndësishëm i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi, për avancimin e Reformës së Administratës Publike, në kuadër të integrimit evropian./ZËRI

Poll

MOS HUMB