TIRANË- Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi iu përgjigj kërkesës së Partisë Demokratike për të lejuar të votojnë edhe emigrantët shqiptarë pa dokumente identifikimi. Kryekomisioneri tha se kjo nuk është e mundur për shkak se platforma për regjistrimin e emigrantëve nuk i ka kapacitetet për të realizuar këtë. Sipas tij, duhet të krijohet një sistem i ri, ose të zhvillohet ky që KQZ ka vendosur në dispozicion.
“PER është ndërtuar për të identifikuar dokumentet e identifikimit të lëshuara nga Republika e Shqipërisë. Nëse palët bien dakord që identifikimi mund të bëhet edhe përmes dokumenteve të tjera, do të duhet të bëhet një sistem tjetër ose të zhvillohet ky sistem. Nuk do më takon të komentoj propozimet që partitë kanë në lidhje me ndryshime të mundshme të kodit. Nëse bien dakord ato, ne kemi detyrimin për t’i zbatuar”, tha Celibashi.
Ndërsa, në lidhje me procesin e votimit në vendin tonë, kreu i KQZ bëri të ditur se në një qark të vetëm nuk do të ketë votim elektronik, por ende nuk e përcaktoi se në cilin. Më tej, ai i bëri thirrje Kuvendit që të miratojë buxhetin e partive politike për fushatën zgjedhore. Celibashi kërkoi që buxheti të miratohet më para, pasi në zgjedhjet e mëparshme kjo ka ndodhur disa ditë para nisjes, ose edhe kur fushata zgjedhore ka filluar.
“I kemi kërkuar Kuvendit që sa më parë të martojë buxhetin për partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje. Me siguri ky buxhet do tu vihet në dispozicion subjekteve zgjedhore më para fushatës, pasi ky buxhet u është vënë në dispozicion në zgjedhjet e mëparshme shumë pak ditë para nisjes së fushatës ose në ndonjë rast edhe kur fushata kishte filluar”, shtoi kryekomisioneri.
Po ashtu, Celibashi nënvizoi ndryshimet e Kodit Zgjedhor, duke u shprehur se është vendosur në interes të partive politike. Kryekomisioneri shtoi se konstituimi i Komisioneve Zonalde të Administratës Zgjedhore do të fillojë më 11 shkurt. Ndër të tjera, ai bëri edhe ndarjen e KZAZ, ku tha se anëtarët do të ndahen në mënyrë të babartë.
“Dy anëtarë nga Partia Socialiste (PS), dy anëtarë nga Partia Demokratike (PD), një anëtar nga Partia Social Demokrate (PSD), dhe një anëtar nga Partia e Lirisë (PL). Ndërkohë, anëtari i shtatë i çdo KZAZ, do të ndahet në mënyrë të barabartë, gjysma do t’i takojë PD-së dhe gjysma PS-së”, nënvizoi ai.
Në përfundim zbuloi se partitë politike nuk kanë dërguar ende listën e anëtarëve të zgjedhur.
Deri më tani janë regjistruar 141 mijë emigrant, por nga këto janë miratuar vetëm 81 mijë kërkesa. Qarqet që kryesojnë janë Tirana, Fieri, Korça, Durrësi, Elbasani dhe Vlora. Italia është shteti që kryeson listën me zgjedhësit më të lartë që kanë shfaqur interes për të votuar, ndjekur më pas nga Greqi, Gjermania, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.
Por, nga debatet më së fundmi mes Partisë socialiste dhe asaj demokrate është vlefshmëria e dokumenteve biometrike. Socialistët mohojnë të njohin shqiptarët që kërkojnë të votojnë pa mjete identifikimi ose nëse nuk janë të regjistruar në gjendjen civile. Nga ana tjetër, demokratët kërkojnë që shqiptarët të votojnë, pavarësisht se mjetete e tyre të identifikimit kanë skaduar.
Platforma online "PER" u hap më 11 janar për të pritur aplikimet e emigrantëve që duan të regjistrohen si votues nga jashtë. Për të gjithë ata që duan të votojnë, platforma do të rrijë e hapur deri në 4 mars. Për t'u regjistruar duhet të futeni në faqen e KQZ-së dhe të klikojnë në seksionin “votues nga jashtë”. Pasi të klikojnë duhet që të vazhdojnë me procedurat dhe kërkesat e Komisionit të Zgjedhjeve. Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje brenda 5 ditëve duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj./ZËRI