
TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka nisur "negociatat" me Partinë Demokratike. Me kreun e PL-së, Ilir Metën në burg, Blushi ka marrë përsipër diskutimet me "homologun" e tij në PD, Flamur Nokën. Të dy janë takuar sot për më shumë se 1 orë në ambientet e selisë blu.
Takimi i sotëm kishte në fokus diskutimet për koalicionin mes dy partive dhe protestën që opozita ka lajmëruar më 8 shkurt. Pasi doli nga selia blu, Blushi nuk dha shumë detaje për mediat, edhe pse iu drejtua mikrofoni.
"E rëndësishme është që të kontribuojmë sa më shumë për rrëzimin e narkoregjimit,"-tha Blushi, si të vetmin koment.
Palët do të negociojnë për zgjedhjet e parlamentare që do të mbahen më 11 maj. Një nga temat për të cilën palët do të duhet që të bien dakord është nëse do të dalin me një listë të përbashkët, nëse po, sa vende të sigurta do marrë Partia e Lirisë; e në cilin do të pozicionohet presidenti i arrestuar, Ilir Meta. Duke marrë parasysh faktin që ky i fundit është në burg, negociatat në emër të Metës do t'i kryejë Tedi Blushi, i cili më pas do t'i raportojë liderit të tij zhvillimet më të fundit./ZËRI