TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një sërë ndryshimesh ligjore, që synojnë goditjen e ndërtimeve pa leje në vendin tonë. Kreu i qeverisë tha se çdo ndërtim që do shkelë lejen në masën mbi 2 përqind, do konfiskohet për interes publik apo strehim social.
“Deri në masën 10 përqind, konfiskohet vetëm ajo shtesë dhe përdoret ajo sipërfaqe, qoftë për zyra për shtetin apo për t’ua dhënë të pastrehëve”, u shpreh Rama.
Më tej Rama paralajmëroi se do ketë edhe konfiskime totale, kur ka shkelje të rëndë të lejes së ndërtimit. “Mbi masën 10 përqind, konfiskohet totalisht ndërtimi.”
Ai përmendi edhe rëndësinë e strehimit social. “Do kemi rregulla të qarta për strehim social”.
Më herët kryeministri tha se çdo ndërtues që shkel lejen, përveç gjobës, do të përjashtohet me të paktën 5 vite nga pajisja me një leje tjetër, duke u futur në një listë të zezë.
Kryeministri foli dhe për bizneset që shkaktojë shqetësim në katet e para të pallateve, duke theksuar se çdo biznes duhet të operojë me leje të posaçme dhe pa cënuar jetesën e komunitetit përreth. Që do të thotë se biznese që shkaktojnë zhurma dhe shqetësojnë banorët, nuk do vendosen në pallatet me apartamente banimi.
“Nga ana tjetër, kemi marrë një tjetër masë, dhe këto janë të gjitha masa në fuqi, që është ndalimi i ndryshimit të një aktiviteti të një objekti, pa marrë lejen përkatëse. Janë të panumërta shembujt e familjeve që kanë një furrë buke dhe dhoma e gjumit u bie mbi furrë në katin poshtë, ose kanë një zdrukthëtari që sharron me sharrë, por nuk është fare i presupozuar ta zhvillojë aktivitetin aty ku ka një komunitet familjesh dhe apartamentesh. Është e mundur të ketë aktivitete të caktuara, por e para, duhen me leje dhe, e dyta, të jenë pjesë e një kategorie të caktuar që nuk trondit dhe shqetëson gjithë të tjerët”, tha Rama./ZËRI