Politikë

Ndryshimi i papritur! Dikur numri 2 i LSI, Endrit Braimllari: Do t’i bashkohem PS. PL: Sufllaqexhi!

Endrit Brahimllari u shpreh se nëse do të gjente hapsirë për t'u angazhuar pranë PS-së, do të reshtohej pranë kryeministrit Edi Rama.

k.m.
Ndryshimi i papritur! Dikur numri 2 i LSI, Endrit Braimllari: Do t’i
Endrit Brahimllari

TIRANË- Ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari duket se ka vendosur që t'i bashkohet kampit të Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në një intervistë të dhënë për "ReportTv", Brahimllari u shpreh se nëse do të gjente hapsirë për t'u angazhuar pranë PS-së, do të reshtohej pranë kryeministrit Edi Rama. Por shton, se deri më tani, veç dëshirës së tij, nuk ka pasur asnjë kontakt nga selia rozë për t'ju bashkuar grupit të tyre. 

“Nëse do të krijohej hapësirat e nevojshme për të dhënë kontributin do ta bëj. Nuk kam kontaktet me PS. Po them dëshirën time. Unë jam i majtë angazhimi im patjetër do të jetë PS por nëse krijohen hapësirat. Nuk e kam problem ta nis nga fillimi. Nuk ka rëndësi ku është emri Endrit Brahimllarit për të dhënë kontributin tim. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të doja të jepja angazhimin tim në PS,"-tha Brahimllari.

I pyetur lidhur me 19 vitet e angazhimit pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim (tashmë Partia e Lirisë), Brahimllari tha se e ka mbytur atë kapitull, duke shtuar se nuk ka asnjë "inat" të mbartur me ish-kolegët e tij.

Gazetari: Vdekjen e dija që Braimllari të ndahej nga Ilir Meta e LSI-ja?

Endrit Braimllari: Nuk kam pishmane në politikë. Më thonë 19 vite shumë, por nuk mbaj inat. Nuk kam kontakte me ish kolegët e mi.

Gazetari: I vetëm trim në luftë nuk po shkon...

Endrit Braimllari: Unë e kam mbyllur historinë. Po shkoj për të dhënë një kontribut. Nuk e kam problem ta nis aty ku e nisa prej 19 vitesh, duke nisur nga pallati, lagjja, nëse krijohet hapësira. E kam të qartë këtë.

Pas deklaratës së Brahimllarit, një reagim erdhi edhe nga Partia e Lirisë. Përmes zëdhënes për shtyp, ka pasur një sërë etiketimesh ndaj anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke e cilësuar më së shumti si "sufllaqexhi". Sipas PL-së, ndryshimi i "kampit" nga Brahimllari është "marrë peng" nga SPAK, bashkë me të disa afërm të tij.

"I kapur peng për shkak të firmave dhe veprimeve të papërgjegjshme, të parregullta dhe të pamoralshme, dhe tanimë i korruptuar deri në fyt, ky “sufllaqexhi” ordiner nga “zëri i qytetarëve” është kthyer në “një kërmill lëpirës”, në pritje për t’u kthyer në një përfitues të rëndomtë të zhvatjes së taksave të qytetarëve, a thua se “Rilindjes” nuk i mjaftojnë “sufllaqexhinjtë” e saj. Nga një “besnik i jashtëzakonshëm” i Ilir Metës, Endrit sufllaqja tanimë është konvertuar edhe në një diversionit të ndyrë të SPAK-ut dhe të regjimit,"-thuhet në reagimin e PL-së.

Postimi i plotë i zëdhënëses Jasmira Memelli:

Një përgjigje për “sufllaqexhiun” e grupit kriminal të SPAK-ut: “21 Nëntori”! Për herë të dhjetë në pak ditë, bashkëpunëtori i regjimit dhe i SPAK-u nga 21 nëntori 2023, Endrit Brahimllari, ka shpallur largimin nga Partia e Lirisë. E vërteta është se ky “sufllaqexhi” ordiner, që gdhihej dhe ngrysej duke “u përbetuar” për besnikëri të përjetshme ndaj Ilir Metës, prej 1 viti e gjysmë nuk është më pjesë e asnjë strukture tone politike dhe as anëtar i Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Shkak janë firmat e tij të paligjshme dhe të pamoralshme, si dhe marrja peng nga SPAK, bashkë me të disa afërm të tij. I kapur peng për shkak të firmave dhe veprimeve të papërgjegjshme, të parregullta dhe të pamoralshme, dhe tanimë i korruptuar deri në fyt, ky “sufllaqexhi” ordiner nga “zëri i qytetarëve” është kthyer në “një kërmill lëpirës”, në pritje për t’u kthyer në një përfitues të rëndomtë të zhvatjes së taksave të qytetarëve, a thua se “Rilindjes” nuk i mjaftojnë “sufllaqexhinjtë” e saj. Nga një “besnik i jashtëzakonshëm” i Ilir Metës, Endrit sufllaqja tanimë është konvertuar edhe në një diversionit të ndyrë të SPAK-ut dhe të regjimit, që në bashkëpunim me të tjerë, prej një viti ka punuar kundër Partisë së Lirisë, i keqpërdorur në ekstrem nga “Rilindja” dhe Altin Dumani, siç po e dëshmon edhe vetë me zë e figurë.Duke i uruar biznesmenit më të ri Endrit Brahimllari, bashkëjetesë të suksesshme me “Prindin 1” dhe “Prindin 2”, dhe sa më shumë të ardhura në biznesin e ri fitimprurës që ka hapur me lekët që ka vjedhur, i kujtojmë se ka për detyrim të paraqitet sa më parë pranë Partisë së Lirisë dhe të japë sqarime për parregullistë me financat që na la trashëgim, si dhe të dorëzojë mandatin e Këshilltarit që nuk i përket atij. Endriti e di shumë mirë që as në ëndrrat e tij më të bukura nuk e kishte parë të bëhej deputet dhe të kryesonte listën e këshilltarëve bashkiakë! Ndaj bën mirë të kthejë mandatin e të vazhdojë të lëpijë andej nga është nisur! Endrit të presim të na kthesh edhe financiaren, sepse kaq detyrim para Partisë së Lirisë e ke! Zyra e Financës është e hapur nga ora 08:00, në pritje që të vish të japësh sqarime! PS: Foto e Endrit sufllaqes në biznesin e ri që ka hapur!

Endrit Braimllari është konsideruar gjithmonë si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Monika Kryemadhit. Ai u dorëhoq nga funksionet që kishte në Partinë e Lirisë me kryetarin Ilir Meta. Prillin e kaluar, por ai u zgjodh anëtar i Kryesisë me 156 vota në Konventën e Partisë së Lirisë që u mbajt 27 Prill. Por pak javë më vonë Braimllari u shpreh se kishte bërë disa hapa pas, për ti lënë mundësi Ilir Metës në cilësinë e kryetarit që të vendoste në zbatim planin e tij, të riorganizimit të partisë. Por që nga ajo kohë Braimllari nuk ka komentuar asnjëherë raportin me Metën apo deklaratat e tij ku ka folur për një "tradhëtar" brenda kupolës drejtuese të PL-së. Edhe Meta, kur ishte në liri, përmendi shumë epitete të ngjashme me atë të "tradhëtarit" kurrë nuk foli emra konkretë./ZËRI

Poll

MOS HUMB