TIRANË- Kryeministri Edi Rama, nga asambleja e Partisë Socialiste, ka njoftuar ngritjen e një Komisione Etike në bashkitë e vendit, sipas tij për t’i dhënë fund nepotizmit. Duke marrë si shembull Vlorën, Rama tha se institucionet lokale iu bënin karshillëk qytetarëve dhe qeverisë, që kishte investuar në këtë qytet. Duke analizuar dorëheqjen e kryebashkiakut Ermal Dredha, Rama tha se ai ishte më i miri mes atyre që abuzonin me detyrën në Vlorë.
Rama: Po ndaj me ju një përkufizim të shkurtër të kësaj situate, dembelizëm dhe karshillëk ndaj popullit të Vlorës, njerëz pa din e imam, hipur në shpatullat e qeverisë. Qeveria investo për Vlorën dhe këta shkel me këmbë, e gjithë kjo situatë do të ishte gabim të lidhej me kryetarin e Bashkisë, i cili në këtë situatë ishte më i miri. Por nuk është vetëm Vlora, dorëheqja e Ermalit është ajo e një njeriu që e ndjen dhe e do Vlorën, dhe i vetmi problem që ka është se duke ndenjur për një kohë të gjatë jashtë Vlorës, edhe si diplomat, u zbut më shumë se duhet.
Uroj që skuadra e re e deputetëve të kuptojë privilegjin që ka për të përfaqësuar Vlorën. Pikërisht pse nuk është vetëm Vlora, do të ngrejmë një Komision të etikës me deputet dhe përfaqësues të PS, që duhet të trajtojë një fenomen shkatërrues, për nepotizmin. Lidhjet e gjakut në pozicione drejtuese duhet të marrin fund.