TIRANË- Ka nisur seanca plenare e ditës së sotme me qëllim miratimin e projektrezolutës për shpalljen e Iranit “shtet financues të terrorizmit”. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën plenare, duke e bojkotuar atë. Sipas PD-së, thirrja e seancës plenare konsiderohet e paligjshme dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Përveç socialistëve, në sallë kanë marrë pjesë edhe dy deputetët Erald Kapri dhe Redi Muçi.
Gazmet Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD ka deklaruar se kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit Edi Rama dhe të kreut të Kuvendit Niko Peleshi, pa një rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht dhe në shkelje të procedurave që parashikon Rregullorja e Kuvendit.
Sipas Bardhit, një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk mund të funksionojë normalisht dhe rrezikon të kthehet në një instrument në shërbim të qeverisë. Në vend të parlamentit, opozita ka zgjedhur të jetë sot në terren pranë qytetarëve për t’u mobilizuar për protestën e 22 marsit.
Seanca plenare e ditës së sotme po mbahet me qëllim miratimin e projektrezolutës për shpalljen e Iranit “shtet financues të terrorizmit”. Partia Socialiste e ka depozitoi më 13 mars, draft-rezolutën për shpalljen e Iranit si “shtet sponsor i terrorizmit” dhe shtet që përdor mjete terroriste./ZËRI