
TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e opozitës, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi kanë kërkuar reagimin e kryeparlamentares Elisa Spiropali për futjen pa leje të Ilir Beqajt në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi. Opozita kërkon që Garda e Republikës të mbajë përgjegjësi për incidentin, ndërkohë që kryeparlamentarja Spiropali kërkoi që të mos përdornin fyerje ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë.
DEBATI NË SALLË:
Noka: Vjen një hajdut 2 metra dhe kërcënon deputetët
Spiropali: Ju lutem mos fyeni. Nuk lejohet me rregullore
Noka: Vjen një akt i turpshëm, i inkurajuar nga dhuna që ju ushtroni ndaj opozitës, vjen një hajdut 2 metra i gjatë guxon të agresojë deputetët e Kuvendit. Guxon një hajdut në vend që të japë llogari, të kërcënojë.
Spiropali: Ç'do njeri ka të drejtën e dinjitetit që nuk ka të drejtë t'ja nëpërkëmbë askush.
Noka: Një hajdut 2 metra i gjatë ka vetëm dinjitetin e hajdutit. Ajo sjellje tregon qasjen tuaj për të mbrojtur hajdutin. Paniku se po iu del e vërteta e hajdutërisë bën që të shkelë çdo normë. Komandati i Gardës duhet të mbajë përgjegjësi se mbrëmë e kanë lënë Beqajn pa asnjë gardistë. Guxoi intimidoi deputetët.
Bardhi: E para zonja Spiropali, Noka e kishte për Ilir Beqaj, mos e merrni për kryeministrin
Spiropali: Do iu kërkoja mos ta përdorim si armë atë mikrofon.
Bardhi: Ju nuk keni asnjë të drejtë që të mëndërhyni në fjalën time. Ti duhet të jesh shumë e shqetësuar që një person i paraburgosur, dje lëvizte i lirë në Kuvend. I pashqetësuar as nga Drejtoria e Burgjeve dhe as nga Garda./ZËRI