TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka kundërshtuar projektligjin për hartën e re administrativo-territoriale. Përmes një letre zyrtare drejtuar Kuvendit, Veliaj kërkon pezullimin e shqyrtimit të projektligjit që parashikon bashkimin e Rinasit, Bërxullës dhe Domjes me Bashkinë e Tiranës.
Sipas tij, ndryshimi i hartës administrative nuk është thjesht një “vizatim i një harte të re”, por kërkon vlerësim të plotë territorial, demografik, administrativ dhe financiar.
"Por reforma administrativo-territoriale nuk është vizatimi i një harte të re. Ajo prek autonominë vendore, përfaqësimin demokratik, ushtrimin e mandatit të organeve të zgjedhura, kompetencat dhe funksionet bashkiake, financat vendore, aksesin e qytetarëve në shërbime dhe marrëdhënien kushtetuese ndërmjet qytetarit dhe pushtetit që ai zgjedh më pranë vetes", shprerhet Veliaj në letër.
Kryebashkiaku kërkon një vlerësim të plotë kryesosht për përfshirjen e Rinasit në territorin e Bashkisë Tiranë, ndërsa në përfundim kërkon që shqyrtimi përfundimtar i projektligjit të pezullohet deri në zhvillimin e konsultimeve me qytetarët dhe plotësimin e garancive kushtetuese, ligjore dhe institucionale.
Kërkesat e Veliajt
Vlerësoj se projektligji, në formën dhe në fazën procedurale në të cilën më është përcjellë, nuk ofron ende të gjitha garancitë dhe elementet normative të nevojshme për miratimin e një reforme me këtë rëndësi kushtetuese. Në veçanti, hartimi dhe depozitimi i zgjidhjes territoriale përpara marrjes së mendimit të popullsisë krijon rrezikun që konsultimi të zhvillohet si formalitet pasues dhe jo si proces që ndikon realisht në përmbajtjen e reformës. Ky qëndrim nuk përbën kundërshtim ndaj nevojës për të rishikuar organizimin territorial, por kërkesë që reforma të jetë e plotë, koherente, realisht e konsultuar dhe kushtetutshmërisht e qëndrueshme.
Përpara vijimit të procesit dhe miratimit përfundimtar të hartës së re, konsideroj të nevojshme që:
1. Të pezullohet vijimi i shqyrtimit përfundimtar të projektligjit deri në zhvillimin dhe dokumentimin e konsultimit real, paraprak dhe efektiv të popullsive të prekura, në një fazë kur rezultatet e tij mund të sjellin rishikimin e zgjidhjes territoriale;
2. Të bëhen publike metodologjia e konsultimit, informacioni i vënë në dispozicion të qytetarëve, pjesëmarrja, qëndrimet e shprehura dhe mënyra se si ato janë reflektuar ose arsyet e mosreflektimit të tyre;
3. Në rastin e Bashkisë Tiranë, të krijohen kushtet që procesi institucional të zhvillohet plotësisht, duke përfshirë mendimin e Kryetarit, shqyrtimin e informuar nga Këshilli Bashkiak dhe konsultimin real të qytetarëve;
4. Për përfshirjen e njësisë administrative “Rinas” në Bashkinë Tiranë, të paraqitet vlerësimi i plotë territorial, demografik, administrativ dhe financiar, përfshirë pasurinë, detyrimet, personelin, të ardhurat, shpenzimet dhe vazhdimësinë e shërbimeve publike;
5. Të harmonizohet projektligji territorial me ndryshimet e nevojshme në ligjin nr. 139/2015 dhe të përfshihen në dispozita detyruese statusi juridik i “qytetit”, funksionet, organizimi, financimi dhe garancitë e shërbimeve;
6. Të përcaktohet mekanizëm juridik dhe zgjedhor i përfaqësimit proporcional të qyteteve, duke garantuar barazinë e votës dhe përfaqësimin e banorëve të fshatrave dhe njësive administrative;
7. Të harmonizohet neni 3 i projektligjit me nenin 92 të ligjit nr. 139/2015 dhe të rregullohet qartë administrimi i periudhës kalimtare, përfshirë organet kompetente, pasuritë, detyrimet, buxhetet, personelin dhe ofrimin e shërbimeve;
8. Të dokumentohet, për çdo ndryshim konkret territorial, përmbushja e kritereve materiale të nenit 108, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 86, të ligjit nr. 139/2015;
9. Të përcaktohet shprehimisht se kompetenca e këshillave bashkiakë për riorganizimin e njësive administrative kufizohet brenda territorit të bashkisë dhe nuk përfshin ndryshimin e kufijve të jashtëm ose transferimin e territorit ndërmjet bashkive.
Në mbledhjen e 29 shtatorit, Këshilli Bashkiak i Tiranës i dha dritën jeshile propozimit për ndryshimin e ndarjes administrative-territoriale të kryeqytetit, duke votuar pro krijimit të një njësie të re administrative.
Sipas propozimit të miratuar me votat e këshilltarëve socialistë njësia e re do të përfshijë Rinasin i cili aktualisht është pjesë e Bashkisë Krujë, si dhe Domjen dhe Bërxullin që aktualisht janë pjesë e Bashkisë Vorë. Ndryshimi synon të sjellë një rikonfigurim të territorit administrativ rreth Tiranës në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale.
Në këtë mbledhje, kryebashkiaki Erion Veliaj nuk arriti të merrte pjesë, pasi SPAK refuzoi kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës që kishte kërkuar pjesëmarrjen e tij fizikisht ose përmes një videokonference.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

