TIRANË- Kryedemokrati Sali Breisha kometoi sot zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën, teksa opozita ende nuk ka dalë me një kandidaturë që do të garojë përballë Ogerta Manastirliut të PS-së. Në një konferencë për mediat, Berisha tha se PD i ka të gatshëm kandidatët e saj për zgjedhjet në 6 bashkitë e vendit, dhe se brenda javës mund të prezantohte kandidati për Tiranën. Kryedemokrati shprehet i gatshëm për të pranuar modelin që do të pranohet gjerësisht nga opozita.
"Këto janë emra shumë të mirë, personalitete me vlera qytetare dhe morale të pakrahasueshme. PD, siç kam shpjeguar më parë, është marrë me modelin, jo me emrat. Me aleatët kemi diskutuar për modelin që do ndjekim. Do të jetë një kandidaturë politike e PD-së apo jo? Një kandidaturë e koalicionit apo jo? Një kandidaturë e pavarur e mbështetur nga partitë e koalicionit, apo jo? Pyetja është: në cilin model ka dakordësi më të gjerë? Ne nuk tërhiqemi nga gara. Jam i gatshëm të mbështes modelin që pranohet më gjerësisht nga opozita. Mund të kemi kandidatin brenda kësaj jave, por nuk mund ta them me siguri. Ajo që di është se kudo i kemi kandidatët gati”, përfundoi Berisha.
Deri më tani, kampi opozitar është dakordësuar për 3 emra si kandidatë të mundshëm dhe të gjithëpranuar për garën në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës. 3 emrat që kanë marrë dakordësinë e të gjithë aleatëve janë aktivistja Edlira Çepani, politologu Ermal Hasimja si dhe Florian Haçkaj, por ende nuk ka një vendim se cili prej tyre do të jetë kandidati zyrtar. Ndërkohë që Partia Socialiste ka zyrtarizuar Ogerta Manastirliun si kandidaten për zgjedhjet e pjesshme të bashkisë së Tiranës që do të zhvillohen më 9 tetor. Data u dekretua nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj./ZËRI