
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë partive politike dhe të gjithë anëtarëve të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) që të shpejtojnë me numërimin e votave. Kjo për shkak se procesi ende nuk ka përfunduar! Në deklaratën e bërë, KQZ kërkon që procesi të përfundojë sot deri në orën 24.00 të mbrëmjes.
"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje partive politike që kanë anëtarë në KZAZ dhe në GNV të marrin përgjegjësinë që u takon për të nxitur numëruesit dhe komisionerët në KZAZ-të ku ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave, që ky proces të përfundojë brenda afatit ligjor, konkretisht deri në orën 24:00 të ditës së sotme.
Nuk ekziston asnjë arsye që ky proces të mos përmbyllet brenda këtij afati. Duke njohur dhe respektuar të drejtën e kandidatëve për deputet për të vëzhguar dhe mbikëqyrur procesin e numërimit, i ftojmë ata të shmangin çdo përfshirje në komunikime të panevojshme apo ushtrim presioni ndaj numëruesve dhe komisionerëve.
Përgjegjësia për mosfinalizimin në kohë të procesit i takon plotësisht partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë dhe po ndërmerr të gjitha përpjekjet për të garantuar mbarëvajtjen dhe përfundimin e procesit. Nëse situata nuk do të ndryshojë brenda afatit të përcaktuar, me keqardhje njoftojmë se të gjithë personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore,"-thuhet në deklaratën e KQZ.
Për të katërtën herë, Edi Rama është zgjedhur kryeministër i Shqipërisë. Numërimi i votave e konfirmoi fitoren e thellë të Partisë Socialiste, e cila siguroi 83 deputetë. Demokratët e koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Madhështore" kanë siguruar 50 mandate, ndërsa PSD ka siguruar 3 mandate, 2 i ka partia "Mundësia", ndërsa nga 1 ka marrë nisma "Shqipëria Bëhet" dhe Lëvizja Bashkë./ZËRI