
TIRANË-Pasi numërimi i votave brenda vendit ka përfunduar, po vijohet me numërimin e votave të diasporës dhe votat preferenciale të kandidatëve në listën e hapur. Fillimisht në Kuvend futen kandidatët e listës mbyllur, sipas radhës që ka përcaktuar partia, dhe lista e hapur, dërgon deputetë në Kuvend nëse partia fiton më shumë karrige se sa emrat që ka në listën e mbyllur.
Teksa Partia Socialiste merr 37 deputetë nga lista e hapur, PD deri tani ka siguruar vetëm 6 deputetë. Qarqet e vetme ku demokratët kanë shkuar përtej listës së mbyllur deri tani janë, Tirana, Durrësi, Shkodra, Korça, Lezha dhe Kukësi. Gjithsesi mund të ketë ndryshime sipas rezultateve nga votat e diasporës.
Një ish-gjyqtar dhe një ish-prokuror, tashmë do të mbajnë postin e deputetit në Parlamentin e ri. Ish-prokurori Arjan Ndoji është kandidati më i votuar në Durrës, ndërsa ish-gjyqtari Gjin Gjoni ka arritur të kryesojë në listën e hapur në Lezhë. Nga Korça, Fidel Kreka, do të jetë një emër i ri në Kuvend, duke dalë deputeti i katërt nga opozita. Një emër i ri, vjen edhe nga Kukësi, ku Shkëlqim Shehu është më i votuari, duke mundur Isuf Çelajn, i cili kishte mbajtur mandatin e deputetit në këtë qark për dy legjislatura radhazi.
Në Tiranë duket se mandatin e vetëm nga lista e hapur do e marrë Jorida Tabaku, e cila aktualisht ka një diferencë prej 1 mijë votash nga Ilir Alimehmeti, edhe pse nuk janë numëruar të gjitha kutitë.
Në Durrës, kandidati më i votuar nga lista e hapur rezulton ish-prokurori Arian Ndoji me 8125 vota personale, i cili do të marrë mandatin. Ai ndiqet në qarkun bregdetar nga Aulon Kalaja me 7057 vota dhe Andia Ulliri me 5174 vota.
Në Shkodër, kandidati më i votuar nga lista e hapur që do të bëhet deputet është Bardh Spahia, i cili ka arritur të marrë 9414 vota persona, teksa ndiqej nga Ted Kopliku me 6148 vota.
Në Korçë, kandidati më i votuar nga lista e hapur rezulton Fidel Kreka me 6523 vota personale, i cili pritet të futet në Kuvend, teksa ai ndiqet nga Kristiano Koçibelli me 5213 vota.
Në Lezhë, kandidati më i votuar nga lista e hapur dhe që do të marrë mandatin e deputetit rezulton Gjin Gjoni me 8873 vota, teksa pas tij si më i votuari nga demokratët në këtë qark është Kastriot Piroli me 5632 vota.
Në Kukës, kandidati më i votuar nga lista e hapur rezulton Shkëlqim Shehu me 7493 vota, por renditja mund të ndryshojë, për shkak se ai ka një deferencë të ngushtë me Isuf Çelajn, i cili ka marrë 7060 vota personale.