
TIRANË- Avokati Genc Gjokutaj ka zbuluar detaje nga ato që kanë ndodhur në sallën e gjyqit, teksa gjykohej çështja e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në fjalën e tij para mediave, Gjokutaj tha se në asnjë moment Meta nuk e ka humbur qetësinë, ashtu siç u raportua. Po ashtu, theksoi se nuk do të përdorin si justifikim gjendjen shëndetësore për ta nxjerrë politikanin nga qelia.
"Nuk e ka humbur qetësinë, por e vërteta thuhet më zë të lartë. Meta nuk ka asnjë problem shëndetësore. Këto malet e larta dhe ujërat e kaltra që thoni ju, nuk janë masë sigurimi. Mos e folklorizoni çështjen. Arrestimi i zotit Meta është izolimi i opozitës. Ky është një vendim ndaj opozitës,"-tha Genc Gjokutaj.
Ilir Meta akuzohet për tre vepra penale: për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit. Ndaj Piro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv, ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave./ZËRI