
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje qeverisë amerikane dhe presidentit Donald Trump që të shpallë organizatë terroriste kartelet e drogës në Shqipëri, referuar operacionit ”Ura”. Thirrja e Berishës vjen një ditë pasi ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi porositë e Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi për eliminimin e karteleve, krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm në Shqipëri.
Berisha duke përshëndetur kërkesën e SHBA-së, shprehet se deklarimi i organizatave terroriste është një kontribut i madh për sigurinë në Shqipëri, rajon, në NATO dhe Europë.
Sali Berisha: Prokurorja e përgjithshme Bondi flet për kartele droge. Presidenti Donald Trump, kartelet e drogës në disa vende i ka shpallur si grupe terroriste. I bëj thirrje presidentit Trump dhe qeverisë së SHBA të deklarojë terroriste këto grupe shqiptare, të cilat janë ndër më të rrezikshmet në rajon, Europë dhe në botë. Të cilat lëvizin miliarda, miliarda, miliarda euro, para droge dhe që i lajnë ato lirshëm, pa asnjë lloj kufizimi në Shqipëri me firmën e kreut të këtyre karteleve, kreut të organizatave kriminale, Edi Rama. Deklarimi si organizata terroriste i organizatave mafioze të Shqipërisë është një kontribut serioz, i madh, për sigurinë në Shqipëri, për sigurinë në rajon, për sigurinë e NATO-s dhe Europës e më gjerë.