TIRANË- Vali Bizhga, shefja e kabinetit të kryeministrit Edi Rama ka dhënë dorëheqjen nga posti që ka mbajtur prej shumë vitesh. E njohur si një prej bashkëpunëtoreve më të afërta të kryeministrit, Bizhga ka qenë pjesë e ngushtë e ekipit të tij që nga periudha kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës, madje e konsideruar si një prej figurave kyçe në strukturën drejtuese të Kryeministrisë.
Burime bëjnë me dije se ky vendim i Bizhgës është marrë si pasojë e disa probleme shëndetësore që ka pasur kohëve të fundit. Ndërkohë, nga të njëjtat burime bëhet me dije se në postin e saj është vendosur një tjetër grua. Bëhet fjalë për Vilma Premti, e cila deri para disa ditësh mbante postin e shefes së kabinetit të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar, Premti pritet të marrë zyrtarisht detyrën e re si shefe e kabinetit të kryeministrit në ditët në vijim./ZËRI