TIRANË- E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy Vanhorn, ka zhvilluar në orët e para të mëngjesit një takim të papritur në Presidencë, një ditë pasi në zyrën e Bajram Begajt ka mbërritur shkresa për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki të vendit, përfshirë Tiranën. Takimi është zhvilluar me kërkesë të diplomates amerikane, dhe nuk ka qenë i parashikuar më parë në axhendë. Detajet mbi temën e bisedimeve nuk janë bërë të ditura ende, ndërsa pritet që nga ana e Presidencës të ketë një njoftim zyrtar në lidhje me takimin.
Presidenti Bajram Begaj duhet të shprehet brenda dy ditëve në lidhje me shkresën e kryeministrisë për shpalljen e vakancës për drejtimin e 6 bashkive të vendit përfshirë kryeqytetin. Zgjedhjet në Tiranë pritet të jenë dhe çështja më e nxehtë, edhe nga pikëpamja juridike, për shkak se kryebashkiaku i shkarkuar Erion Veliaj, ka ankimuar vendimin në gjykatën kushtetuese. Ligji parashikon që vendimi për shkarkimin të pezullohet, derisa gjykata Kushtetuese të shprehet për çështjen në themel.
Këshilli Bashkiak votoi kërkesën për shkarkimin e Veliajt, më 23 shtator, me 50 vota pro të PS-së dhe PD-së, duke iu referuar ligjit të vetëqeverisjes vendore, se shkarkimi i kryetarit mund të kërkohet pasi ai mungon për 3 muaj rresht në detyrë. Kërkesa e Këshillit Bashkiak u miratua dhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa vendimi i shkarkimit u publikua në Fletoren Zyrtare. Socialistët kanë zyrtaruar dhe kandidaten e tyre për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliun.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim. /ZËRI
