
SHKODËR- Deputetë të Partisë Demokratike dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur para bashkisë së Shkodrës në atë që u quajt si marshim-solidariteti kundër kriminalitetit. Në këtë protestë kanë marrë pjesë kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi si dhe depuetët e opozitës: Dhurata Çuli, Edmond Spaho, Ramadan Lika dhe Lindita Metaliaj.
Boçi tha se protesta e sotme është organizuar si shenjë solidariteti për qytetarët e Shkodrës pas atentatit që ndodhi në Dobraç ku humbën jetën 3 persona dhe nëj tjetër mbeti i plagosur.
“Shkodra duhet të shprehë revoltën, zemërimin, nuk ka kohë për të heshtur, për t’iu bindur. Duhet një mosbindje civile dhe politike”, tha Boçi.
Pasditen e 30 tetorit, 4 persona kanë komplotuar dhe realizuar vrasjen e Hamza Licit, vëllait të Ibrahim Licit. I riu, vetëm 23 vjeç ndërroi vend menjëherë nga plumbat e marrë, ndërsa shoku i tij, Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës kishte marrë një plumb në kokë. Kjo masakër i kushtoi jetën edhe një kalimtareje të rastit, Flutura Bashës. Kjo e fundit po shkonte në shtëpi me të shoqin, kur motoçikleta e tyre u përplas nga "Benzi" i Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Tashmë ka nisur aksioni për kapjen e autorëve, por deri më tani pas ka mbetur vetëm makina e tyre e djegur. /ZËRI