TIRANË- Demokratët do t'i drejtohen kutive të votimit nesër për të zgjedhur kryetarin që do t'i udhëheqë për 4 vitet e ardhshme. Por, ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, këtë vit në garë është vetëm Sali Berisha, pasi Komisioni i Zgjedhjeve i PD-së ka përjashtuar të gjithë kandidatët e tjerë që kërkuan të sfidonin liderin e opozitës.
Përmes një postimi në rrjete sociale, vetë lideri opozitar e ka quajtur këtë proces një 'referendum për kryetarin' dhe fton demokratët të marrin pjesë masivisht.
Zgjedhjet do të zhvillohen në të gjitha degët e partisë në rrethe. Ndryshe nga vitet e fundit, votat këtë herë do të numërohen në degë, dhe jo në selinë qendrore të PD-së.
Ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë kandidati i vetëm për kryetar. Procesi do të zhvillohet sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”. Në të gjitha degët e partisë do të ngrihen qendra votimi, të cilat do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 18:00, ndërsa në degët më të mëdha do të ketë më shumë se një qendër votimi. Për garën e PD, u përjashtuan kandidatët Ervin Salianji, Evi Kokalari, Alesia Balliu, Vladimir Mulaj e Mereme Sela. /ZËRI